Armand Duka: Futbolli për Kombin, premtim i mbajtur. Ja zotimet që kemi realizuar në 3 vite!
27 Janar 2026
12:07
Telesport
Në prezantimin e strategjisë “Vision to Victory”, Presidenti Armand Duka, mbajti një fjalim të plotë ku prezantoi vizionin, objektivat dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e futbollit shqiptar në katër vitet e ardhshme.
Duke reflektuar mbi ciklin e mëparshëm strategjik dhe sfidat përpara, Presidenti Duka theksoi se rreth 95% e objektivave të strategjisë “Futbolli për Kombin 2022-2025” janë realizuar ose ndodhen në fazë të avancuar zbatimi, duke e cilësuar këtë periudhë si një bazë të fortë për ndërtimin e hapit të radhës.
Në vitin 2022, prezantuam strategjinë “Futbolli për Kombin”, një dokument ambicioz, por realist, ku vendosëm objektiva të qarta dhe përcaktuam rrugën konkrete për arritjen e tyre. Strategjia u ndërtua në mënyrë të detajuar, e ndarë në fusha të qarta veprimi, me objektiva të matshme dhe me përgjegjësi të mirëpërcaktuara. Ajo nuk mbeti thjesht një dokument orientues, por u respektua, u ndoq me përkushtim dhe u zbatua në praktikë, duke prodhuar rezultate konkrete, të cilat u pasqyruan edhe në materialin filmik që sapo pamë.
Një nga objektivat kryesore të asaj strategjie ishte rritja e pjesëmarrjes në futboll. Ne synonim të arrinim 23 mijë futbollistë djem dhe 4 mijë futbolliste për vajza. Ky objektiv u realizua plotësisht 100% dhe u tejkalua për djemtë ndërsa u realizua 50% për vajza – një tregues i qartë i progresit, por edhe i punës që ende na pret përpara, veçanërisht në zhvillimin e futbollit të vajzave.
Kjo rritje nuk erdhi rastësisht. Ishte rezultat i drejtpërdrejtë i projekteve të realizuara në shkolla, akademi, në klube, i përmirësimit të infrastrukturës sportive, i mbështetjes së fëmijëve me bazë materiale falas, si dhe i rritjes sasiore dhe cilësore të trajnerëve të futbollit.
Në futbollin e vajzave, strategjia “Rising Star” ka prodhuar rezultate konkrete: rritje të vazhdueshme të numrit të lojtareve, krijimin e ligave dhe festivaleve rajonale, programe të strukturuara të identifikimit të talenteve, kualifikimin e Vllaznisë në UEFA Women’s Champions League dhe marrëveshja e transmetit televiziv, duke rritur dukshmërinë dhe profesionalizmin e këtij sektori.
Gjatë këtij katërvjeçari, specialistë dhe personalitete nga më të mirët e futbollit shqiptar dhe atij europian kontribuuan në edukimin e 2,340 trajnerëve të rinj, nga niveli UEFA UEFA C deri tek A dhe UEFA PRO. Për t’u ardhur sa më pranë komuniteteve dhe për të shërbyer si model për akademitë e sportit, këto trajnime nuk u zhvilluan vetëm në Tiranë, por edhe në Shkodër, Durrës, Elbasan, Fier, Lezhë, Korçë dhe Gjirokastër.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm lidhej me rezultatet e ekipeve kombëtare, si për djemtë ashtu edhe për vajzat.
Kombëtarja A e vajzave arriti fillimisht të ngjitej nga Liga C në Ligën B të UEFA Nations League dhe në edicionin pasardhës, siguroi qëndrimin në Ligën B, duke u pozicionuar mes skuadrave më konkurruese të kontinentit.
Ndërkohë, ekipet e moshave arritën pjesërisht objektivin e pjesëmarrjes në Elite Round, ndërsa Kombëtarja U-17 e djemve mori pjesë në finalet e Kampionatit Europian, që u zhvillua në vendin tonë– një eksperiencë e jashtëzakonshme për lojtarët, stafet dhe për gjithë futbollin shqiptar.
Objektivi më madhor i strategjisë “Futbolli për Kombin” ishte kualifikimi i Kombëtares A në një turne final, Kampionat Europian ose Botëror. Objektiv i realizuar dhe i tejkaluar, pasi ekipi kombëtar mori pjesë në finalet e UEFA EURO 2024 në Gjermani dhe sot është pjesë e fazës play-off të Kampionatit Botëror 2026, duke shkruar një faqe të re në historinë e futbollit shqiptar.
Për të realizuar objektivat në futboll, është e pamundur pa një infrastrukturë të mirë. Dhe ky objektiv ka qenë një nga prioritetet kryesore të asaj strategjie. Ne kishim si synim të ndërtonim 100 fusha të reja futbolli dhe të kishim një bashkëpunim strategjik në çdo vit, duke realizuar 40 % të tyre për arsye të ndryshme. Sa i përket bashkëpunimeve strategjike, janë investuar në infrastrukturë 16,503,145 euro në total nga të cilat 6,764,793 euro nga projektet e federatës dhe të tjerat nga partnerët.
Në infrastrukturë, janë ndërtuar mbi 40 fusha të reja futbolli, si dhe janë zhvilluar 5 projekte madhore stadiumesh si ai i Egnatias, Partizanit, Vorës, Gramshit dhe Besës së Kavajës që është në proces. Për herë të parë u realizua një audit kombëtar i terreneve sportive, i cili sot shërben si bazë për planifikimin racional të investimeve. “Shtëpia e Futbollit” është konsoliduar si një qendër kombëtare ekselence për edukim, trajnim dhe administrim.
Për arritjen e objektivave ishin të domosdoshme: modernizimi i qeverisjes së Federatës, rritja e transparencës, digjitalizimi i proceseve, dhe niveli i lartë profesional, të gjitha këto të arritura e tejkaluara.
Sot me bindje mund të themi se kemi ndërtuar një administratë funksionale, efikase e të besueshme, e cila ka ndërmarrë hapa të qëndrueshëm drejt modernizimit dhe profesionalizimit institucional. Janë përmirësuar strukturat dhe proceset e vendimmarrjes, janë konsoliduar praktikat e menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm, si dhe është forcuar përputhshmëria me standardet dhe kërkesat e vendosura nga UEFA dhe FIFA.
Jemi fokusuar me shumë kënaqësi e zell për të realizuar një objektiv tjetër shumë te rëndësishëm: forcimin e rolit social të futbollit, duke e përdorur atë si mjet edukimi, integrimi dhe përfshirjeje, përmes projekteve komunitare, programeve gjithëpërfshirëse dhe nismave sociale, të cilin me krenari mund të themi se e kemi realizuar falë edhe bashkëpunimeve me partnerë dhe grupe interesi.
Federata ka kaluar me sukses nga iniciativa të shpërndara në një sistem të strukturuar dhe funksional, duke realizuar plotësisht objektivat e strategjisë “Futbolli për Kombin”.
Sot, në përfundim të këtij cikli katërvjeçar, mund ta themi me përgjegjësi të plotë se 95% e këtyre angazhimeve janë realizuar ose janë në fazë të avancuar zbatimi.
Të gjitha këto na çojnë në një përfundim të qartë: strategjia “Futbolli për Kombin” është ndjekur, zbatuar dhe ka rezultate konkret.