Arsenal fiton por “goditet” nga dëmtimet, mbrojtësi anglez bëhet viktima e fundit
15 Dhjetor 2025
14:11
Telesport
Mikel Arteta tha se Arsenal po “blen bileta për lëndime”, pasi mbrojtësi Ben White u detyrua të largohej nga fusha në mesin e pjesës së parë në ndeshjen ndaj Wolves fundjavën e kaluar (londinezët fituan 2-1në shtesë).
Një problem në kofshë për mbrojtësin anglez, që u zëvendësua nga Myles Lewis-Skelly. Ky është dëmtimi i dytë i mbrojtësit anglez këtë sezon pasi ai pësoi një goditje më herët gjatë sezonit.
Një dëmtim që vjen në një moment delikat për mbrojtjen e “topçinjve”, pasi janë disa të tillë të lënduar. “Ben nuk ka luajtur shumë minuta për shkak të problemit të mëparshëm me gjurin që kishte,” tha Arteta.
“Në momentin që filloi të rikuperonte totalisht iu desh të luante shumë sepse nuk kishim ndonjë zgjidhje tjetër. Duket si një problem në kofshë, kështu që nuk e dimë shkallën e kësaj”, shtoi trajneri spanjoll.
Arteta pranoi se Arsenal gjithashtu mori një rrezik duke luajtur me William Saliba si titullar kundër Wolves, me francezin që u rikthye pas një problemi në kyçin e këmbës.