Arteta: Fitorja në Champions me kaq shumë dëmtime tregon se sa të qëndrueshëm jemi
11 Dhjetor 2025
11:40
Telesport
Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, tha se fitorja 3-0 ndaj Club Brugge të mërkurën në Champions League ishte reagimi i përkryer i skuadrës ndaj humbjes së fundjavës në Premier League (1-2 ndaj Aston Villa. Fitorja mban “topçinjtë” në krye të renditjes në champions me 18 pikë të plota.
“Kjo është ajo që dëshiron menjëherë pas një humbjeje: Të reagosh dhe të fitosh ndeshjen tjetër. Mënyra se si e realizuam këtë në Champions ishte mjaft pozitive, veçanërisht kur humbëm përsëri dy lojtarë të tjerë”, tha Arteta.
“Përsëri, pavarësisht dëmtimeve, treguam se sa të qëndrueshëm jemi. Standardet që i vendosëm vetes dhe kapaciteti që ka skuadra për të fituar në mënyra të ndryshme është e mahnitshme. Ndeshja e djeshme mendoj se ishte një shembull i mirë i kësaj”, shtoi Arteta.
Më tej, trajneri spanjoll komentoi: “Jam shumë i lumtur sepse tani kemi disa lojtarë përsëri në vijën e parë dhe mund të shihni sa më mirë kemi bërë. Jam i lumtur që u rikthye Gabriel Jesus, lojtar me cilësi. Kjo është diçka që ne si skuadër kemi nevojë dhe do të na bëjë më të mirë“.