Austri, trupat e një nëne siriane dhe fëmijës së saj të zhdukur gjenden brenda një frigoriferi
Trupat e një gruaje 34-vjeçare dhe vajzës së saj 10-vjeçare janë gjetur brenda ngrirëseve në një apartament në Austrinë perëndimore.
Mbetjet e gruas dhe fëmijës siriane, të cilat kishin qenë të zhdukura për disa muaj, u zbuluan të premten. Ngrirëset ishin fshehur pas një muri të ndërtuar me gips në banesën që ndodhet në qytetin Innsbruck.
Dy burra, një 55-vjeçar austriak dhe vëllai i tij 53-vjeçar, u arrestuan në qershor. Burri më i madh, koleg i gruas siriane, i tha policisë javën e kaluar se kishte ndodhur një aksident – por mohoi vrasjen.
Duke folur para gazetarëve, Hansjörg Mayr, zëdhënës i zyrës së prokurorit publik, tha se të dy po mbahen “me dyshime të forta për vrasje”. Emrat e personave të përfshirë nuk janë bërë publikë nga policia, në përputhje me ligjin austriak, raporton BBC, transmeton Sinjali.
Zhdukja e familjes u raportua për herë të parë nga kushërira e gruas, që jeton në Gjermani, më 25 korrik 2024.
Policia tha se kolegu i saj – 55-vjeçari – u kishte thënë në atë kohë se ajo kishte shkuar në një udhëtim të gjatë me fëmijën për të vizituar prindërit e saj në Turqi.
Më pas, u zbulua se karta e saj bankare ishte përdorur disa herë jashtë vendit.
Por kur policia kontrolloi banesën e gruas, gjeti telefonin e saj.
Një dëshmitar gjithashtu kishte raportuar se kishte dëgjuar një zhurmë të fortë në apartament dhe thirrje “mama”, në ditën kur mendohet se kishte ndodhur zhdukja.
U hap një hetim më i gjerë policor, ku oficerët zbuluan mesazhe të ndryshme të dërguara nga telefoni i gruas – përfshirë një letër dorëheqjeje për punëdhënësin dhe mesazhe dërguar kolegut mashkull.
Autoritetet thanë se një shumë me katër shifra ishte transferuar gjithashtu te burri.
Katja Tersch, shefja e Zyrës së Policisë Kriminale të Shtetit në Tirol, tha se një njësi magazinimi ishte marrë me qira para zhdukjes së viktimave dhe aty ishte vendosur një ngrirëse.
Sipas saj, vëllezërit e larguan ngrirësen nga magazina ditën kur gruaja dhe fëmija u zhdukën. Një javë më vonë, ata blenë një ngrirëse tjetër.
Autoritetet besojnë se kjo tregon se vrasjet mund të kenë qenë të paramenduara.
“Shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohej për shkak të dekompozimit të trupave”, tha Tersch.
Mayr – nga zyra e prokurorit publik – tha se renditja e saktë e ngjarjeve ende nuk dihet, por trupat ishin fshehur në mënyrë profesionale dhe nuk ishin zbuluar gjatë një kontrolli të mëparshëm në banesë.
Ndërsa vëllezërit u arrestuan në qershor, vetëm më 12 nëntor 55-vjeçari pranoi se kishte ndodhur një incident dhe se i kishte fshehur trupat. Ai mohon se ka pasur qëllim për t’i vrarë, thanë autoritetet.
Ndërkohë, vëllai më i vogël pranoi se kishte ndihmuar në fshehjen e trupave, por mohoi të kishte ditur për ndonjë vrasje.
Të dy po mbahen në paraburgim në burgjet e Innsbruck dhe Salzburg, rreth 189 kilometra larg njëri-tjetrit.
Në një deklaratë të përbashkët, Ministrja e Grave e Austrisë, Eva-Maria Holzleitner dhe Ministrja e Drejtësisë, Anna Sporrer, thanë se “dyshimi për vrasjen e dyfishtë përfaqëson fundin e papritur dhe brutal të dy jetëve njerëzore dhe nxjerr në pah një sistem mizor”.
“Gratë dhe vajzat po vriten vetëm pse janë gra dhe vajza,” vijonin ato.
“Femicidet janë një problem i thellë dhe i përhapur në shoqëri, të cilin duhet ta luftojmë me vendosmëri.”
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
