Balla-opozitës: Ne sot do ta votojmë Avokatin e Popullit, me kandidaturat që keni sjellë ju!
schedule11:25 – 11 Dhjetor, 2025
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u përplas me opozitën në seancën plenare, duke deklaruar se mazhoranca do të çojë deri në fund procesin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit “me kandidaturat që ka sjellë vetë opozita”. Balla foli edhe për vonesat dhe proceset e papërfunduara në lidhje me Avokatin e Popullit:
“Jemi 1250 ditë në shkelje të ligjit si Kuvend, dy legjislatura. Tre procese të nisura, të tradhtuara rrugës.”
Fjala e plotë:
Mendoj se shpreh vlerësimin e të gjithë deputetëve në këtë sallë. Se sotmja është një seancë shumë e rëndësishme, qoftë për ju, qoftë për ne, mbi të gjitha për gjithë shqiptarët. Në seancën e sotme ne miratojmë buxhetin e shtetit nen për nen dhe në tërësi bashkë me paketën fiskale. Për ne kjo është një prej çështjeve, ndoshta çështja më e rëndësishme, për shkak se dalim para popullit shqiptar me një buxhet më të madhin në histori dhe me plot të mira për ata që na kanë dhënë nderin e madh t’i përfaqësojmë në Kuvend si shumicë, me rritjen e pensioneve, me rritjen e pagave dhe me plot investime të rëndësishme.
Kjo është për ne, edhe ju në fakt sot keni një seancë të rëndësishme. Por serioziteti i forcës tuaj politike për kauzat që i lini rrugës është edhe kjo tallje që sapo bëni sot. Kemi diskutuar siç duhet të ishte. Lutem, ka mundësi të them dy fjalë. Dhe kemi diskutuar se sot ka një debat të rëndësishëm për raportin e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet. Do ishte në nderin e forcës politike që ka kërkuar mocion me debat të ndaleshim dhe të gjenim një kohë të caktuar se kur zhvillohet ky debat, që të kenë mundësi ta ndjekin qytetarët.
Ju në këndvështrimin tuaj, ne në këndvështrimin tonë po ju talleni. Ju talleni me gjithë kauzat që nisni. Talleni me kërkesën tuaj për të bërë mocion debat për zgjedhjet, për raportin OSBE-ODHIR-it.
Talleni me kandidatët. Si thatë. Lepuri, thatë. Po këta kush janë? Ne jemi këta? Ne jemi? Ne jemi nënkryetari i partisë, që është këtu? Ne jemi, anëtarët e kryesisë që janë këtu. Ne kemi firmosur për këta? Dhe si tha, si tha ky, se kur të të fyejë ky… Ky, i vetmi Flamur që nuk di ku është ngritur flamuri, është fundi i botës, është fundi i botës. Si tha? Si tha? “Këta, tha i ka bindur Ervin Salianji.” Këtyre ua ka mbushur mendjen Ervin Salianji, edhe hallin e brendshëm, edhe hallin e brendshëm të partisë tuaj, na e sollët këtu.
Tani të dashur qytetarë shqiptarë t’i tregojmë popullit të vërtetat e mëdha të këtij procesi.
Jemi 1250 ditë në shkelje të ligjit si Kuvend, dy legjislatura. Tre proceset të nisura, të tradhtuara rrugës. U çua drejtuesi i sotëm i grupit parlamentar në mbledhjen e sotme dhe tha: ka një praktikë, tha, se janë tërhequr firmat. Nuk është e vërtetë ashtu siç e thatë ju. Ju kurrë nuk e keni gjetur konsensusin mes vetes.
Sa për procedurën, është për këtë pikë të rendit të ditës ka vetëm një folës pro, një folës kundër. Tani. Kemi 1250 ditë që tallemi me këtë proces. Ne po ju themi që sot ne do të votojmë Avokatin e Popullit me kandidaturat që i keni sjellë ju, nuk i kemi sjellë ne asnjë kandidaturë. Zoti kryetar, po e ndërpres fjalën këtu për ta rimarrë prapë për të sqaruar gjithë pozicionin tonë.