“Balluku, dërgimi i çështjes në Kushtetuese i duhuri”/ Nura: S’kemi të dhëna të qarta për dosjen, vetëm abuzime me informacionin
Analisti pranë ABC News, Artur Nura, i ftuar në “News Line”, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në vend, duke e cilësuar si një vendim të drejtë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së pezullimit të zëvendëskryeministres.
Sipas Nurës, ky hap i ndërmarrë nga kryeministri Rama është në përputhje me parimet e demokracisë, ku vota e qytetarëve mbetet sovrani kryesor. Ai theksoi se institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën dhe Prokurorinë, duhet të ruajnë pavarësinë dhe ekuilibrat kushtetues, ndërsa kritikoi protestat pa qëllim të qartë politik, duke i konsideruar si abuzive dhe keqpërdorim të situatës.
Nura u ndal gjithashtu te reforma në drejtësi, duke theksuar nevojën për evoluimin e saj dhe forcimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
“Ishte vendimi i duhur që të çohej në Gjykatën Kushtetuese pezul limimi i zëvendëskryeministreje dhe një ministreje. Në këtë rast nuk kam ndryshuar mendim që Rama ka bërë hapin e duhur. Në themel të demokracisë është vota dhe vota është sovrani, kjo duhet që të ruhet në të gjithë ekuilibrat e demokracisë. Gjykata dhe Prokuroria do të ruajnë strukturën e tyre. Gjykata ka penguar ekzekutivin.
Të bësh protesta në një moment të tillë, protesta pa pasur një qëllim politik të qartë, është një abuzim, në mospërputhje me kompetencat. Të mbledhësh 10-15 veta me pankarta për të marrë disa pikë politike për mua nuk është aspak e drejtë. Mjafton të dëgjon Berishën nga SPAK nuk bëhet aspak fjalë për mbështetje politike. Unë pashë sot edhe drejtuesin e SPAK, dhe pashë një vendosmëri të drejtësisë për ta çuar deri në fund, nuk e di nëse është një hakmarrje.
Nuk kemi të dhëna të qarta për dosjen, vetëm abuzime me informacionin. Është një keqinformim dhe kjo është një përgjegjësi e sistemit të drejtësisë. Reforma duhet që të evoluojë, të caktojë pikat mbi ‘i’, të vendosë ekuilibrat te “check and balance’. Ligji të caktojë ndarjen e pushteteve”, tha Nura./abcnews.al