Balluku e pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO, ish-prokurori: Mund të shtohet vepra penale e “vjedhjes”! Vendimi i gjykatës, i drejtë
Ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, komentoi vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se hetimet mund të zgjerojnë spektrin e akuzave.
Sipas Karanxhës, në dosjen që po heton SPAK mund të shtohet edhe vepra penale e vjedhjes, e cila parashikon dënime deri në 10 vite burg. Ai solli si shembull një element të hetimit ku, sipas tij, një shtetas turk figuron të ketë përfituar 25 milionë euro divident, ndonëse ka qëndruar vetëm disa orë në Shqipëri.
“Mendoj se jemi përballë veprës së vjedhjes. Këta kanë kryer vjedhje në favor të personave të tretë. Në fillim mendova se akuza ishte lehtësuar, por kur pashë se çështja është në mes të procedimit, kuptova se prokurori nuk është i kapur,” deklaroi Karanxha.
Ish-prokurori foli edhe për debatet e ngritura mbi kompetencat e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të një zëvendëskryeministre. Sipas tij, vendimi është brenda kufijve ligjorë dhe i menjëhershëm në zbatim.
“Deputetët zgjidhen nga populli dhe nuk mund të pezullohen. Por populli nuk e ka zgjedhur Ballukun si zv/kryeministre. Për këtë arsye, vendimi i gjykatës është i saktë dhe nuk le hapësirë për interpretim. Ai ka efekt të menjëhershëm,” — theksoi Karanxha.
Pezullimi i Belinda Ballukut mbetet një prej çështjeve më të diskutueshme të ditëve të fundit, ndërsa hetimet e SPAK vazhdojnë për disa dosje që lidhen me tenderime dhe administrimin e fondeve publike.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb