Balona me cigare kontrabandë në qiell/ Rihapet aeroporti i Vilnusit pas trafikimit të pazakontë
schedule16:51 – 21 Nëntor, 2025
Aeroporti i Vilniusit ka rifilluar operimet të enjten mbrëma, pasi u detyrua të mbyllej për më shumë se një orë për shkak të shfaqjes së balonave të kontrabandistëve në radar, njoftoi Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave e Lituanisë.
Mbyllja erdhi vetëm pak orë pasi Lituania kishte rihapur pikat kufitare me Bjellorusinë, të cilat u kishin qëndruar të mbyllura për një muaj për shkak të ndërhyrjeve në hapësirën ajrore nga balona meteorologjike të ardhura nga territori bjellorus.
Zëdhënësi i kryeministres lituaneze, Inga Ruginienė, paralajmëroi se masat mund të shtrëngohen sërish:
“Siç ka theksuar Kryeministrja, nëse sulme të tilla hibride vazhdojnë, të gjitha pikat kufitare mund të mbyllen përsëri,” thuhet në deklaratë.
Autoritetet lituaneze akuzojnë kontrabandistët që operojnë nga Bjellorusia se përdorin balona për të transportuar cigare të paligjshme, duke fajësuar presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko për mosndalimin e praktikës dhe duke e konsideruar atë një formë të “sulmit hibrid”.
Nga ana tjetër, Lukashenko e ka quajtur mbylljen e kufirit “një mashtrim të çmendur”, duke akuzuar Perëndimin se po zhvillon një luftë hibride kundër Bjellorusisë dhe Rusisë, të cilën ai e përshkroi si hyrjen në një epokë të re ndarjesh me tela me gjemba.
Raportet për incidente ajrore kishin rënë ndjeshëm javët e fundit, përpara ndodhjes së incidentit të së enjtes që solli mbylljen e përkohshme të aeroportit të Vilniusit.
/ abcnews.al /
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

