Barcelona, jo Interi. Cancelo, misterioz në rrjetet sociale: “Nuk e dini të vërtetën, sa shumë njerëz…”
6 Janar 2026
15:14
Alfred Lleshi
Joao Cancelo është drejt Barcelonës dhe marrëveshja ndodhet tashmë në fazën përfundimtare, ndërsa Interi mbetet i zhgënjyer nga merkatoja. Mbrojtësi portugez për një moment i kishte ushqyer shpresat e tifozëve zikaltër për një rikthim në Milano, pas marrëveshjes paraprake të Interit me Al Hilal për huazimin e lojtarit, me kusht që më pas të largohej njëri mes Acerbit dhe De Vrij.
Megjithatë, 31-vjeçari ka qenë gjithmonë i qartë: Barcelona ishte prioritet absolut. Sapo oferta e katalanasve u konkretizua dhe u arrit marrëveshja me sauditët, Cancelo i dha dritën jeshile agjentit Jorge Mendes për të mbyllur kalimin te blaugranat.
Kjo ka zhgënjyer disa tifozë të Interit dhe ndoshta atyre iu drejtohet postimi i tij në Instagram: “Nuk e dini të vërtetën”. Më pas shtoi: “Imagjino sa shumë njerëz nuk të duan sepse nuk e kanë dëgjuar versionin tënd të historisë”. 7 vite pas herës së fundit në “San Siro”, Cancelo është gati të veshë sërish fanellën blaugrana, këtë herë në “Camp Nou”.