Bashkimi mekanik që po shkërmoq PD-në!
Kjo që po ndodh në PD që prej nisjes së takimeve të Salianjit dhe mbështetësve të tij, është një kaos i pakontrolluar. Nën parimin ‘të gjithë kundër të gjithëve”, të shtunën e shkuar u mbajt një mbledhje ku askush nuk mori vesh se “kush është me kë”. Flamuri me Berishën kundër Salianjit. Salianji kundër Flamurit dhe Berishës. Bislim Ahmetaj kundër Flamurit. Kruja kundër foltoreve të Berishës dhe Salianjit. Dhe anëtari pa të drejtë i kryesisë Çim Peka, kundër Albanës, Flamurit dhe Salianjit njëkohësisht. Dhe këtu shkëlqen “shkëlqen” në llojin e vet Adriana Kalaja që mallkon tërë ditën Endri Shabanin, që nuk është as anëtar i Partisë Demokratike. Shkurt hesapi, sallatë ruse!
Por kjo situatë kaotike nuk është rastësi apo kombinim rrethanash që nuk i lidh një vijë logjike. Por produkt i gjithë historisë së fundme të PD, të paktën që prej 2017. Një histori tragji-komike që i lëkund njerëzit si lavjerrës nga dëshpërimi tek shpresat iluzive. Por në fund mbeten vetëm të tilla. Sepse sapo duket se lëviz dicka në sens pozitiv, porsi një kala rëre, një dallgë e merr përpara kalanë me gjithë fëmijët që e kanë ndërtuar. Ky cikël mesa duket I ndërtim-shkatërrimit të shpresës, se PD mund të rimarrë veten pas cdo humbjeje, duket se po shkon drejt fundit gjithësesi të pasigurtë. Themi duhet sepse ende mund të ketë ndonjë shpresë, të tipit “cmënden të gjithë njëherësh” dhe fillojnë të punojnë si ta kthejnë këtë parti që ka qeverisur plot 13 vite, në një parti serioze. Serioze në kuptimin e një alternative të qartë të djathtë ku dominojnë sistemi i karrierës, përfaqësimi, vlerat e së djathtës së kohës që po jetojmë etj.. Por asgjë nga këto nuk po ndodh. Të gjithë protagonistët akuzojnë njëri-tjetrin se kush po shet më shumë popullin opozitar tek Rama. I vetmi që nuk akuzon askënd për tradhti, është Belind Këlliçi që luante “kujt i ngel derri maç” me shokët e tij dhe të Ballukut!
E që të kuptosh deri ku arrin marrëzia e disa prej protagonistëve, mjafton të dëgjosh sulmet ndaj Salianjit që brënda 24 orëve, Flamuri e Cimi me shokë e shndërruan nga hero në armik, sapo guxoi si shumë të tjerë para tij që të zbulojë cipën e trupit të kalbur nën stemën e PD-së. Natyrisht kjo skemë e njohur si “mos ma prek Doktorin”, është aplikuar po me kaq sukses edhe në titullin “mos ma prek Lulin”, po nga të njëtët e njerëz e ca më shumë se ta. Por ajo që e bën më të shëmtuar këtë skemë komuniste të mitit të diktatorit, është heshtja ndaj Berishës e atyre që dolën për të rrëzuar arbitraritetin e Bashës sa kohë ishte kryetar I PD, ndërsa tani merren më Flamurin dhe Salianjin, a thua se Berisha nuk po drejton më keq se Basha.
Pra në këtë tollovi, Salianji me mbështetësit e tij grisën cipën e krizës. Por me një dallim. Qëlluan apo zgjodhën kohën e duhur. Këtë e kupton kur gazetarët e lanë Berishën të zbriste shkallët e selisë, pa I drejtuar asnjë pyetje. E në fakt të drejtë kanë. Sepse kur shohin sesi në 1992 dhe 2005 mbante fjalime në sheshet e mbushura me qindra mijëra njerëz, e sot nuk mbledh dot as gjysmën e Këshillit Kombëtar, nuk gjejnë asnjë arsye për t’u rrotulluar me mikrofon në dorë, nga përballë Salianjit drejt Doktorit. Sepse Salianji ka ngritur disa çështje që vërtetë nuk janë të reja, por mbeten thelbi i deficitit të tmershëm demokratik të Shqipërisë së rrënuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Një opozitë që ha çdo ditë veten dhe nuk kafshon dot pushtetin. Sa nga paaftësia e sa nga imoraliteti i saj. Por në fund të fundit, duke qënë se e sollën kështu këtë punë, mbase bënë mirë. Pasi boshlleku që krijuan, për shkak të sistemit demokratik që nuk jeton dot pa gjysmën e trupit të vetë, do ripërtërihet nga vetë shoqeria.
E gjithë kjo skenë e shëmtuar e ditës së shtunë në atë mbledhje kryesie që i ngjan një prag lufte civile në PD, erdhi si edhe si rrjedhojë e asaj çfarë ndodhi pas 14 majit të 2023, kur Berisha me të tijët dolën fitimtarë ndaj ish PD zyrtare që Basha e la rrugëve me shumë gjasa sipas midesë së Ramës e Berishës. 24 deputetët që u shkëputën nga Kuvendi i 18 dhjetorit drejt atij të 11 dhjetorit, e ndërmorrën atë akt për një arsye të vetme. Duheshin rreshtuar aty ku ishte shumica e votave. Ca e bënë për një vend pune në parlamentin e 2025, dhe ja aritën qëllimit si Bardhi e Gjekmarkaj apo Alizoti, ndërsa disa të tjerë vërtetë besuan se aty ku është shumica kishte shanse që të prodhohej fitore. Vetëm se harruan një detaj të vogël që është dhe fitili që po hedh në erë gjithë ngrehinën e quajtur Parti Demokratike! Bashkimi mekanik i paralajmëruar nga autori i këtij shkrimi dhe Ibsen Elezi, nuk ishte bashkim organik, pra i natyrshëm. E meqënëse politika është edhe moral edhe pragmatizëm, i bie që të gjithë hipën në një bicikletë më një rrotë me shpresën që do mundnin rivalin që e kishte bicikletën me dy të tilla. Biles ndërkohë kishte venë dhe dy bateri, njërën të blerë nga gangsterrat dhe tjetrën nga Ali Baba me 40 hajdutët.
Gara me mazhorancën ishte e vështirë edhe në kushte normale e jo më në pozitën e vështirë që PD kish vënë veten prej 8 vitesh ku rinovimi, modernizimi, përshtatja me kushtet e reja etj., nga imperativë ishin kthyer në kundërshtare të vetë veprimit politik. Megjithatë historia ka treguar se e ardhmja është e paparashikueshme dhe për këtë shkak “rebelët” jo vetëm që nuk duhet të pezmatohen, por duhet të kmbëngulin në gjetjen e një zgjidhjeje pavarësisht se Noka me shokë janë entuziazmuar nga rezultati i 9 tetorit. Në fund të fundit për atë punë paguhen!
© BalkanWeb