BE mblidhet për asetet ruse/ Blloku i ndarë për vendimin, Zelensky: Nuk kam para për dronë
Presidenti Ukrainas Volodymir Zelensky ka paralajmëruar Bashkimin Europian se nëse unioni nuk arrin dakordësi për të përdorur asetet e ngrira ruse për të financuar vendin e tij, atëherë Kievi zyrtar do të shkurtojë prodhimin e dronëve ushtarake qe e kane ndihmuar atë ti kundërpërgjigjet Rusisë.
Paralajmërimi i Zelenskyt vjen teksa në tryezën e Brukselit, liderët Europian janë ndarë në dy grupe në lidhje me propozimin, pro dhe kundër, pa mundësuar kështu një qëndrueshmëri politike.
Shefja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se nuk do të largohet nga samiti pa siguruar financimin e Ukrainës për dy vitet e ardhshme.
Ajo ka propozuar dy mundësi: kreditë e dëmshpërblimeve, bazuar në asetet ruse të ngrira, dhe borxhin e përbashkët, të mbështetur nga buxheti I Bashkimit Europian. Megjithëse ajo më parë është shprehur në favor të kredisë së dëmshpërblimeve, këtë të mërkurë ajo nuk bëri ndonjë dallim të veçantë, duke thënë thjesht se pjesa më e rëndësishme është të mblidhen 90 miliardë euro për të përmbushur nevojat e Ukrainës.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se nuk sheh ndonjë mundësi tjetër veç përdorimit të aseteve ruse dhe se është e mundur që gjatë samitit të arrihet në një përfundim.
Ai mirëkuptoi shqetësimet ligjore, veçanërisht të Belgjikës ku mbahet pjesa më e madhe e aseteve, por theksoi se Bashkimi Europian duhet të tregojë një shenjë force dhe vendosmërie ndaj Rusisë.
Donald Tusk, kryeministri polak, një nga aleatët më të ngushtë të Ukrainës, konfirmoi mbështetjen për përdorimin e aseteve ruse.
E vërteta është se Ukraina ka nevojë për financim, në një mënyrë apo një tjetër.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se Ukrainës do t’i duhen rreth 135 miliardë euro për vitet 2026 dhe 2027.
Nëse përdorimi i aseteve të ngrira ruse miratohej plotësisht deri në janar, këstet e para të kredisë së dëmshpërblimit do të fillonin të mbërrinin në tremujorin e parë të vitit 2026.
Ndërkohë parlamenti europian ka miratuar tashmë për të hequr gradualisht importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027, duke kapërcyer pengesën e parafundit ligjore përpara se kjo të bëhet ligj. Ndalimi ende kërkon miratim formal nga ministrat e unionit, që pritet në fillim të vitit të ardhshëm.
Këto zhvillime vijnë para se delegacioni ukrainas t’i rikthehet bisedimeve me palën amerikane këtë fundjavë për të diskutuar detajet e planit të paqes.