Berisha kërkon çlirim nga masat/ I drejtohet Kushtetueses për shfuqizimin e detyrim paraqitje
Sali Berisha kërkon shfuqizimin e masës detyrim paraqitje në Gjykatën Kushtetuese. Një lëvizje jo e rastësishme kjo nga lideri i opozitës, një ditë pasi kryeministri Rama kërkoi shfuqizim të pezullimit të zv.kryeministres Balluku po në këtë Gjykatë.
Padia e Berishës synon të rrëzojë vendimin e gjyqtarit Engert Pëllimbi në Apelin e GJKKO, që në janar të këtij viti, pas lirimit të Berishës, e zëvendësoi masën e arrestit të shtëpisë me atë të detyrimit të paraqitjes.
Berisha i cili po e zbaton rregullisht këtë masë 2 herë në muaj, tani kërkon shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutës të kësaj mase ndaj tij, dhe kërkon ti shpëtojë kësaj barre të paraqitjes në SPAK.
Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën, relatore është caktuar gjyqtarja Fiona Papajorgji dhe seanca e parë do të mbahet vitin tjetër, më 20 janar 2026.
Paralelisht, Berisha ka kërkuar edhe shfuqizim të masës arresti shtëpie. Ndonëse ajo masë i është hequr. Më 17 dhjetor do të mbahet seanca për të provuar nëse ishte kushtetuese apo jo masa e arrestit të shtëpisë që mbajti kreun e PD, 11 muaj në shtëpi duke mbajtur fjalime në ballkonin e katit të tetë.
Por nëse për masën e arrestit të shtëpisë, Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur më parë. Në nëntor të vitit të kaluar, masën detyrim paraqitje, Kushtetuesja e legjitimoi.
Asojkohe, Berishës iu hoq masa e ndalimit jashtë shtetit, por për detyrimin e paraqitjes, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se ajo nuk preku funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengoi deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet. Për rrjedhojë Gjykata, njëzëri, arriti në përfundimin se në rastin Berisha, kjo masë nuk përbëu kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë, nuk u nevojit autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!
