Besëlidhja dominon Superligën, fitore për Apoloninë e Teutën, suksesi i parë për Pogradecin
6 Dhjetor 2025
20:01
Telesport
Është rikthyer sot Superliga në basketboll për meshkuj (java 8) pas ndeshjeve të kombëtares dhe Besëlidhja kampione fiton thellë 94-47 ndaj Vllaznisë, duke qëndruar e pamposhtur. Suksesi i 8-të për kampionët në po kaq takime të luajtura, duke dominuar në fushë, ndeshje ku u dallua kolektiviteti (5 lojtarë mbi 10 pikë).
Pa shumë vështirësi fiton edhe Teuta, që në fushën e saj mundi 90-71 Fieri Basket. Skuadra durrsake u shkëput 28-8 që në periodën e parë dhe e ruajti këtë avantazh deri në fund. Memcaj me 24 pikë ishte shënuesi më i mirë për vendasit, ndërsa 27 pikët e Picard për fierakët mbetën për statistikë.
Fitoren e parë në kampionat korri Pogradeci, që mundi 93-74 në Vlorë skuadrën e Flamurtarit. Një përballje mes dy ekipeve më të dobta në renditje, por në fund liqenorët (Taylor 30 pikë e 13 rebound) arritën të dalin fitues dhe marrin suksesin e shumëpritur, ndërsa vlonjatët janë ende në fund.
Apolonia qëndron në vendin e dytë pas fitores 111-80 në fushën e Elbasanit, duke u rikthyer te suksesi. Edhe pse vendasit e nisën mirë ndeshjen, shpejt miqtë nga Fieri marrin frenat e lojës në dorë, duke u shkëputur e merituar fitoren. Quincy me 26 pikë u dallua për Apoloninë, mbështetur edhe nga Campbell me 22 pikë.
Superliga-Meshkuj, Java e 8-të
Elbasani – Apolonia, 80-111
Vllaznia – Besëlidhja, 47-94
Teuta – Fieri Basket, 90-71
Flamurtari – Pogradeci, 74-93
Kamza Basket – Skënderbeu, 7 dhjetor
Tirana – Partizani, 7 dhjetor
Renditja: Besëlidhja 16 pikë, Apolonia 15 pikë, Teuta 14 pikë, Tirana 13 pikë, Vllaznia 13 pikë, Kamza Basket 11 pikë, Skënderbeu 11 pikë, Fieri Basket 10 pikë, Elbasani 10 pikë, Pogradeci 9 pikë, Partizani 8 pikë, Flamurtari 7 pikë.