Besëlidhja mund Tiranën në duelin e kreut dhe nis shkëputjen, fitojnë edhe Vllaznia e Teuta
24 Janar 2026
21:01
Telesport
Janë luajtur ndeshjet e javës së 13-të të Superligës në basketboll për meshkuj. Besëlidhja mundi 93-81 Tiranën në përballjen mes dy ekipeve më të mira, duke qëndruar e pamposhtur. Kampionët lezhjanë kalojnë me sukses provën më të rëndësishme.
Një ndeshje e ekuilibruar për 30 minuta, ku të dyja ekipet dueluan fort. Vetëm në 10-minutëshin e fundit lezhjanët shkëputen falë 20 pikëve të Hysa dhe 18 të Alimani. Për bardheblutë u dallua Massie me 29 pikë, por që s’mjaftuan për të fituar.
Nuk zhgënjen Teuta, që në fushën e saj mundi me lehtësi 109-70 Flamurtarin në sfidën e dy skuadrave bregdetare. Pas një periode të parë të ekuilibruar, ekipi durrsak shkëputet e dominon falë 20 pikëve të Wright e 19 të Hughes.
Fitore në sekondat e fundit për Vllazninë, që mundi në fushën e saj 79-75 Apoloninë, një përballje mes dy ekipesh pretendente e që synojnë zonën play off. Bryant me 27 pikë u dallua për shkodranët, duke i bërë të pavlefshme 24 pikët e Campbell për fierakët.
Pa probleme fiton skuadra e Kamza Basket, që në fushën e saj mundi 116-77 Pogradecin. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, kamzalinjtë shkëputen në pjesën e dytë dhe fitojnë falë 29 pikëve të Murray e 26 të Sawyer.
Superliga-Meshkuj, java e 13-të
Kamza Basket – Pogradeci, 116-77
Teuta – Flamurtari, 109-70
Vllaznia – Apolonia, 79-75
Tirana – Besëlidhja, 81-93
Skënderbeu – Partizani, 25 janar
Elbasani – Fieri Basket, 25 janar
Renditja: Besëlidhja 26 pikë, Tirana 24 pikë, Vllaznia 23 pikë, Apolonia 22 pikë, Teuta 22 pikë, Kamza Basket 20 pikë, Skënderbeu 18 pikë, Fieri Basket 15 pikë, Elbasani 15 pikë, Pogradeci 15 pikë, Partizani 14 pikë, Flamurtari 14 pikë.