Bjellorusia liron 123 të burgosur pas marrëveshjes me SHBA-në për heqjen e sanksioneve
schedule07:25 – 14 Dhjetor, 2025
Bjellorusia ka liruar 123 të burgosur, mes tyre edhe aktivisten e njohur të opozitës, Maria Kolesnikova, pasi Shtetet e Bashkuara ranë dakord të heqin një pjesë të sanksioneve ndaj këtij shteti.
Në mesin e të liruarve është edhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqen, Ales Bialiatski. Lirimi i tyre erdhi pas bisedimeve të zhvilluara në Minsk me të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump për Bjellorusinë, John Coale.
SHBA-ja ka pranuar të heqë sanksionet ndaj eksportit të potasit, një përbërës kyç për prodhimin e plehrave kimike dhe një nga eksportet më të rëndësishme të Bjellorusisë, e cila është aleate e ngushtë e Rusisë.
Duke folur për marrëveshjen, Coale deklaroi se “me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, gjithnjë e më shumë sanksione do të hiqen”.
Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko nuk njihet si president legjitim nga Bashkimi Evropian. Maria Kolesnikova ndodhej në burg që prej vitit 2020, pjesën më të madhe të kohës në izolim. Pas lirimit, ajo tha se ndiente “një lumturi të pabesueshme” që mundi të shihte dhe të përqafonte sërish njerëzit e saj të dashur.
“Është një lumturi e madhe të shoh perëndimin e parë të diellit në liri, një bukuri e jashtëzakonshme,” u shpreh ajo, duke shtuar se mendimet e saj shkojnë edhe për ata që ende ndodhen pas hekurave. “Pres momentin kur të gjithë të jemi të lirë dhe të mund të përqafohemi.”
Sipas Shtabit Koordinues të Ukrainës për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës, Kolesnikova iu dorëzua Ukrainës së bashku me 113 të burgosur të tjerë. Autoritetet ukrainase njoftuan se, pas marrjes së ndihmës mjekësore të nevojshme, të liruarit do të transportohen drejt Polonisë dhe Lituanisë.
Liderja e opozitës bjelloruse në mërgim, Svetlana Tikhanovskaya, e cila ndodhej pranë ambasadës amerikane në Vilnius, i tha BBC-së se dërgimi i të liruarve në Ukrainë ishte një vendim i papritur dhe i marrë personalisht nga Lukashenko.
Një numër i vogël i të liruarve, përfshirë Bialiatskin, u dërgua drejtpërdrejt në kryeqytetin e Lituanisë. Pas një përqafimi me Tikhanovskayan, Bialiatski deklaroi se “mijëra njerëz kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të burgosur, prandaj lufta jonë vazhdon”.
Motrat e Kolesnikovës, Tatsiana Khomich, tha se fjalët e para të saj pas lirimit ishin falënderime për administratën amerikane, presidentin Trump dhe autoritetet bjelloruse për zhvillimin e negociatave.
Marrëveshja konsiderohet një sukses i rëndësishëm për Lukashenkon, i cili përfiton gjithashtu nga thyerja e izolimit ndërkombëtar. As SHBA-ja dhe as Bashkimi Evropian nuk e njohën fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat u shoqëruan me protesta masive dhe represion të dhunshëm nga policia.
Qindra persona, përfshirë Kolesnikovën, u arrestuan gjatë atyre protestave, ndërsa represioni politik ka vazhduar edhe në vitet pasuese. Sanksionet perëndimore u ashpërsuan më tej pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, kur trupat ruse hynë në Ukrainë përmes territorit bjellorus.
Media shtetërore bjelloruse citon Coale të ketë thënë se sanksionet ndaj potasit do të hiqen menjëherë. Ai gjithashtu bëri të ditur se ka diskutuar me Lukashenkon për Ukrainën dhe për rolin që Minsk mund të luajë në bisedimet me presidentin rus Vladimir Putin.
Kjo qasje ndaj Bjellorusisë përfaqëson një ndryshim të madh në politikën amerikane, duke e vendosur Uashingtonin në kundërshtim me qëndrimin evropian, i cili vazhdon të mbështesë izolimin dhe sanksionet.
Ndër të liruarit të shtunën ishin edhe politikani opozitar Viktor Babaryko dhe Marina Zolotova, kryeredaktore e portalit të pavarur informativ Tut.by.
Duke komentuar marrëveshjen, Tikhanovskaya tha se sanksionet janë “mjet presioni për t’i detyruar diktatorët të veprojnë”. Ajo shtoi se Lukashenko nuk i liron të burgosurit nga humanizmi, por sepse kërkon përfitimin maksimal politik dhe ekonomik, duke theksuar se sanksionet amerikane mund të rikthehen nëse marrëveshjet nuk respektohen./abcnews.al