Botërori 2026 / Duka flet pas shortit: Rruga e vështirë, por luftojmë deri në fund
6 Dhjetor 2025
8:11
Alfred Lleshi
Pas përfundimit të ceremonisë së shortit të Kupës së Botës 2026, ku Shqipëria, në rast kualifikimi nga “play off”-i, do të jetë pjesë e Grupit F me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dha një prononcim për fshf.org, ku vlerësoi eventin dhe foli për kundërshtarët e mundshëm të kuqezinjve:
“Ne jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e këtij eventi të rëndësishëm. Sot ishte dita e parë, pra organizimi i shortit dhe për këtë unë dua të falënderoj futbollistët e ekipit Kombëtar dhe stafin, që na e kanë bërë të mundur të ëndërrojmë për të qenë pjesë e këtij Botërori. Padyshim që rruga jonë është e vështirë. Ne kemi një ndeshje shumë të vështirë kundër Polonisë në Varshavë dhe nëse e kalojmë atë pastaj do të luajmë një ndeshje finale kundër skuadrës fituese Suedisë apo Ukrainës me ëndrrën për të qenë pjesë e Botërorit.
Padyshim të vazhdojmë të luftojmë deri në minutën e fundit dhe unë kam shumë besim te skuadra jonë, te motivimi i tyre dhe dëshira e tyre për të qenë pjesë e Botërorit. Uroj shumë që vërtet ta realizojmë këtë ëndërr, jo vetëm të ekipit të futbollit, jo vetëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, por të gjithë shqiptarëve që e duan shumë futbollin”.