Caiazza: Marrëveshja me Shqipërinë? Historike, por duhej bërë më parë…
Në një intervistë ekskluzive për gazetarin Artur Nura në emisionin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” në ABC News, shkrimtari dhe gazetari italian i Rai, Antonio Caizza, komentoi takimin e përbashkët të qeverive shqiptare dhe italiane të zhvilluar në Romë, ku u firmosën 16 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi në fusha të ndryshme.
Caizza e cilësoi këtë mbledhje si një ngjarje historike, jo vetëm për rëndësinë diplomatike, por edhe për simbolikën e dy shteteve që ulen së bashku në të njëjtën tryezë. Sipas Caizza-s, një marrëveshje e këtij niveli duhej arritur shumë më herët, duke pasur parasysh afërsinë dhe bashkëpunimin e pandërprerë mes dy vendeve gjatë më shumë se tre dekadave.”
Sipas tij, ndërsa Roma mbetet një adresë e rëndësishme për Tiranën, destinacioni përfundimtar duhet të jetë Brukseli, pasi Shqipëria i ka bërë detyrat dhe ka ardhur koha që BE t’i mundësojë një hap tjetër drejt integrimit.
Intervista e plotë:
Gazetari, Artur Nura: Kënaqësia është e jona. Si e shikoni ju konceptin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë”, duke u nisur nga librat tuaj mbi Shqipërinë e periudhës së diktaturës dhe asaj pas rënies së regjimit?
Antonio Caizza: Para së gjithash, është një titull shumë i bukur për një emision televiziv, një projekt vërtet i mirë. Shqipëria ka qenë për një kohë shumë të gjatë nën vëmendjen e Italisë. Shqiptarët ia imponuan vëmendjen Italisë me emigracionin e madh të fillimit të viteve ’90, kur italianët kishin harruar se nga ana tjetër e Adriatikut kishte një vend tjetër, një vend me histori, një histori që edhe në të shkuarën ishte kryqëzuar me Italinë, me Italinë e dikurshme. Nuk është vetëm fashizmi, por edhe Venecia, edhe Roma. Kështu që është mirë që kjo lidhje sot forcohet edhe më shumë Sot në Itali jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë; lidhja është kaq e fortë saqë nuk e vëmë më re diferencën. Nuk është më e mundur të themi “ne” dhe “ata”: jemi të gjithë italianë, ose italianë të rinj. Ka tashmë gjenerata të dyta e të treta, pa asnjë dallim. Nuk është më çështje ngjyre lëkure, por çështje osmoze, shkrirjeje mes komuniteteve. Ia dolëm të bëhemi një familje, me gjithë diversitetet që çdo familje ka.
Gazetari Artur Nura: Jam plotësisht dakord. Këtë radhë, pse në Tiranë?
Antonio Caizza: Për të marrë pjesë në Panairin e Librit, një event shumë i bukur, sepse do të prezantojmë botimin në shqip të njërit prej librave të mi. Një roman i imi që në Itali ka dalë 11 vite më parë: “Nata e të mundurve”, i përkthyer nga Diana Çuli. Jam i nderuar, sepse zakonisht autori është më i famshëm se përkthyesi; në këtë rast është e kundërta. E kuptoj që Diana Çuli është një celebritet, dhe unë jam shumë më pak i famshëm e më pak ekspert se ajo. Prandaj është nder i madh t’i kem besuar tregimin tim gjuhës së saj.
Gazetari Artur Nura: Me dy fjalë, çfarë trajton ky libër?
Antonio Caizza: Ky libër është një udhëtim në të shkuarën e Shqipërisë. Një udhëtim nëpër “pucet”, siç quheshin atëherë përplasjet e pushtetit brenda, për shembull, te ashtuquajturi “Bllok”, që sot është i hapur dhe ku përjetohet mënyra e jetës tiranase apo shqiptare. Dikur ai ishte “qyteti i ndaluar”: shqiptarët kalonin në anën tjetër të rrugës, nuk mund të hidhnin sytë përballë, ishte Garda, policia, e aty brenda jetonte kasta e të fuqishmeve që, pas luftës partizane dhe fitores së Shqipërisë së re, morën pushtetin dhe me kohë humbën lidhjen me popullin. Brenda kësaj shoqërie që plakej ngadalë, luheshin lojërat e pushtetit, dhe ndonjëherë dikush prej tyre zhdukej, binte në fatkeqësi dhe zhdukej. Në librin tim tregoj historinë e njërit prej këtyre të fuqishmëve, ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, dhe ngjarjen e “Pucit të vitit 1974” që çoi në ekzekutimin e tij dhe dy bashkëpunëtorëve të tij.
Gazetari Artur Nura: Si e kanë pritur këtë libër lexuesit italianë?
Antonio Caizza: Shumë mirë. Është pritur si një tregim që vjen nga brenda kastave të mbyllura të vendeve të Lindjes. Regjimet e Lindjes kishin tipologji të ndryshme, dhe ndër më të ashpërit e më të mbyllurit ishte ai rumun, bullgar, por më i mbylluri nga të gjithë ishte regjimi stalinist shqiptar i Enver Hoxhës. Libri është shkruar mbi bazën e tregimeve, dëshmive dhe dokumenteve të mbledhura nga arkivat – memoria e një vendi.
Gazetari Artur Nura: Jo kushdo mund të ketë akses në këto dokumente.
Antonio Caizza: Arkivat janë memoria e një vendi.
Gazetari Artur Nura: Do të na duhet të flasim për një libër tjetër që keni publikuar së fundmi: “Një histori e pakëndshme”, Antonio Caiazzo.
Antonio Caizza: Në fakt janë dy histori të pakëndshme. Njëra është mbi filmin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” nga romani i Ismail Kadaresë, që trajton pushtimin italian dhe ngacmimet që ushtria italiane u ka bërë shqiptarëve. Libri është shumë i vërtetë, dhe filmi pritej të ishte po aq i tillë. Libri rikujton një kohë që Italia ndoshta s’do të donte ta kujtonte. Filmi do të realizohej me interpretimin e Marcello Mastroiannit, Michel Piccolit, pra yje të kinemasë. Por, megjithë këtë yjësinë, Italia punoi shumë që filmi të mos realizohej. E gjithë trupa kinematografike me regjisorin Topoli kërkonte ta xhironte në Shqipëri, në jug, aty ku Kadare e kishte vendosur historinë. Edhe paratë ishin depozituar, Piccoli kishte transferuar para nga një bankë franceze te një bankë shqiptare. Ata erdhën shpesh në Shqipëri për të studiuar terrenin, por askush nuk e dinte se Italia po ushtronte presion mbi shtetin shqiptar që të mos lejonte realizimin e filmit.
Gazetari Artur Nura: Nga investigimet tuaja, kur e kuptoi Topoli se kush po e sabotonte punën e tij?
Antonio Caizza: Ai për 40 vite ka menduar se pamundësia për ta xhiruar filmin ishte faji i Shqipërisë, i këtij vendi paranojak, të mbyllur, me spiunë kudo. Kishte edhe një anekdotë: një mëngjes i dëbuan nga hoteli me pretekstin se kamionët që u duheshin atyre nevojiteshin për të mbledhur “milletin”. Këtë histori Topoli e tregoi për 40 vite me radhë. Në realitet, pas gjithçkaje ishte Italia. Shqipëria kishte nevojë për ndihmën italiane, sepse kishte mbetur e izoluar.
Gazetari Artur Nura: Jo kishte mbetur e autoizoluar, por e izoluar.
Antonio Caizza: Po, madje kishte mbyllur edhe me Kinën dhe kishte nevojë për një spirale, edhe të vogël. Kishte nevojë për Italinë dhe Francën, të cilat ishin përfshirë në projektin e filmit. Edhe kinemaja zgjodhi arsyetimin e shtetit.
Gazetari Artur Nura: Si gazetar që njeh mirë Shqipërinë, si e shihni mbledhjen e nesërme të përbashkët mes dy qeverive, një gjë historike që nuk ka ndodhur më parë?
Antonio Caizza: Me siguri është një event historik. Nga pikëpamja mediatike, fakti që dy shtete mblidhen në të njëjtën kohë, është një foto shumë e bukur që do të mbetet në histori. Por unë pyes veten edhe nga pikëpamja thelbësore: si ka mundësi që nuk është bërë më parë? Shqipëria ka qenë e lirë për më shumë se 34 vite. Si është e mundur që nuk e kanë bërë më parë? Për 30 e ca vite gjithçka është bërë me telefon mes ministrive në Romë e Tiranë, pa ndjekur rrugët diplomatike që kërkon liturgjia mes dy shteteve, sidomos kur marrëdhëniet kanë qenë kaq të ngushta, të përditshme dhe të menjëhershme.
Gazetari Artur Nura: Në një farë mënyre, për Tiranën, Roma ka mbetur porti dhe adresa e duhur për të arritur, ndaj nuk e kemi thënë rastësisht se “të gjitha rrugët të çojnë në Romë”.
Antonio Caizza: Shpresoj që për Tiranën adresa e duhur të jetë Roma, por jo vetëm: adresa finale duhet të jetë Brukseli. Meta e Shqipërisë është Bashkimi Europian. Shqipëria është një vend europian, dhe ka ardhur momenti që BE t’i lejojë të bëjë një hap më shumë. Shqipëria ka punuar, detyrat i ka bërë; është e qartë që ka ende shumë për të bërë, por ka edhe shumë për të bërë brenda vetë vendeve të Europës.
Gazetari Artur Nura: Në këtë kuptim, avokati ynë në Bruksel është Roma, ndaj dhe presim informacionet që ne gazetarët do të përpunojmë nga kjo mbledhje e fundit. Faleminderit për intervistën dhe suksese me librat tuaj. Një pyetje më vjen natyrshëm: si ka mundësi që u dashuruat me historinë e Shqipërisë?
Antonio Caizza: Unë mendoj se kush prek Shqipërinë, nuk çlirohet më prej saj. Shqipëria të rrëmben. Thuhet “dhimbje nga Afrika”, por unë do të thoja “Dhimbje Shqipërie”. Mua më ndodhi me Shqipërinë. Fillova të ndiqja Radio Tiranën jo sepse isha komunist, marksist apo leninist, por sepse më bënte kurioz ky vend i izoluar. Mendoja se nga ana tjetër e Adriatikut ishte një tokë e kuqe, të gjithë ishin filo-sovjetikë, që flisnin keq për revizionistët, Amerikën, Perëndimin, Jugosllavinë, Kinën, Bashkimin Sovjetik, e rrinin vetëm duke eksperimentuar autarkinë. E vizitova në vitin 1985, kur vdiq Enver Hoxha, por vetëm anagrafikisht, sepse sistemi ishte ende aty. Në vend që të blija vespa-n, zgjodha udhëtimin në Shqipëri. Një Shqipëri që nuk më ka mbaruar kurrë.
Gazetari Artur Nura: Jo rastësisht sot jemi sërish në Tiranë! Faleminderit.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

