Cesari bën moviolën e Inter-Napoli, tregon a ishte e drejtë penalltia për Mkhitaryan
12 Janar 2026
10:57
Alfred Lleshi
Gjatë moviolës së ndeshjes Inter-Napoli, Graziano Cesari shpjegoi për “Pressing”: “Arbitri Doveri nuk e kishte parë fillimisht prekjen e Mkhitaryan nga Rrahmani, por pas thirrjes në VAR, pas 18 sekondash u dha vendimi përfundimtar”.
Cesari konfirmon se “prekjeja e mbrojtësit kosovar, pas goditjes së topit nga mesfushori, ishte e dukshme, edhe penalltia e saktë. Kjo situatë është e kodifikuar dhe e pranuar globalisht, si rasti Pavlovic-Thuram në derbi. Nëse nuk zbatohet, si rasti Gila ndaj Conceiçao, konsiderohet gabim nga dezinjatori Rocchi”.
Cesari kritikoi edhe reagimin e Contes. Pas përjashtimit me karton të kuq nga Doveri, trajneri Conte u përplas me arbitrin e katërt, duke i thënë në sy: “Shkoni, turp, turp”. Ai mund të rrezikojë minimumi dy ndeshje pezullim, varësisht nga raporti i arbitrit dhe të katërtit. Sipas “Il Mattino”, reagimi i fortë lidhet me stresin dhe frustrimin nga gabimet arbitrare të supozuara ndaj Napolit në ndeshjen me Veronën.
Mkhitaryan penallti, Fullkrug jo; Cesari shpjegon ngjashmëritë dhe dallimet
Pas penalltisë së dhënë Interit ndaj Napolit për prekjen e Mkhitaryan nga Rrahmani, shumë tifozë milanistë pyetën pse në Milan-Genoa nuk u dha penallti për ndërhyrjen e Ostigard ndaj Fullkrug. Graziano Cesari shpjegon për “Pressing”: “Këmba e majtë e Ostigard godet këmbën e majtë të Fullkrug. Ndërhyrja është e gabuar dhe duhet ndëshkuar. Nuk mund të bëhen gjëra të tilla, ashtu siç nuk mund të bëhen gropa në fushë”.