Çështja e Irena Gjokës, PD: Vendimi i KLGJ papërgjeshmëri, ILD të veprojë me shpejtësi!
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e konsideron të papërgjegjshëm dhe të paprecedentë vendimin e këshillit të Lartë Gjyqësor për ta përcjellë çështjen e gjyqtares së Posaçme Irena Gjoka në derën e Inspektorit të Lartë të drejtësisë, në një kohë që ajo rezulton e dënuar në Greqi për përdorim të një vize të falsifikuar.
Sipas opozitës sjellja e KLGJ ngre pikëpyetje të forta mbi pavarësinë dhe paanshmërinë e këtij institucioni.
REAGIMI I GRUPIT PARLAMENTAR TË PD
“Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedent e KLGJ-së, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve organike që e ngarkojnë me marrjen e vendimeve për rastet e papajtueshmërisë dhe pazgjedhshmërisë së gjyqtarëve, ngre pikëpyetje të forta për pavarësinë dhe paanshmërinë e organit të qeverisjes të pushtetit gjyqësor. Dërgimi për kompetencë ILD është një përpjekje e qartë për ta zvarritur akoma edhe më tej këtë çështje, me pasoja shumë të rënda për pushtetin gjyqësor, të drejtat e qytetarëve dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të zbatojë ligjin dhe të kërkojë menjëherë nga KLGJ deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtaren e dënuar.
Në mbledhjen e së premtes, Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi njëkërkesë për verifikimin e statusit të gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka lidhur me mosdeklarimin prej saj të një dënimi penal të dhënë nga drejtësia greke në vitin 2005. Mbi bazën e propozimit të një prej anëtarëve cështja në fjalë pritet ti kalojë për shqyrtim ILD-së.
© BalkanWeb