Çfarë ndryshon në Kodin e ri Penal? Juristja Greta Ambeli sqaron ‘dekriminalizimin’ për gazetarët dhe arrestimet për parkim dysh
Juristja Greta Ambeli ka komentuar ndryshimet e fundit në Kodit Penal, duke theksuar se megjithëse janë rritur disa dënime, mungojnë mekanizma të rëndësishëm dhe konsultimi me shoqërinë civile ka qenë i pamjaftueshëm.
Ambeli tha në emisonin ‘News24 Fundjavë’ të gazetares Megi Latifi se maxhoranca nuk ka zbatuar të gjitha procedurat e nevojshme për të përfshirë shoqërinë civile në hartimin e kodit. Ajo ka kritikuar veçanërisht rregullimin e shpifjes, ku dënimet me gjoba janë të parashikuara, si dhe dekriminalizimin e pjesshëm të disa profesioneve, si gazetarët, ndërsa kategoritë e tjera nuk përfshihen. “Ka pasur orientim nga BE që të bëhej dekriminalizimi, por nuk është zbatuar në mënyrë të plotë. Nuk mund të licensohet gazetari, kjo nuk funksionon ligjërisht,” tha juristja.
Ambeli ka komentuar gjithashtu ndryshimet për parkimin dhe masat deri në arrestim për shkelësit, duke theksuar se këto masa janë të tepruara. “Si fillim duhej të kishim parandalimin e shkeljeve, jo arrestimet. Parkimi dysh i makinave nuk është shkaku kryesor i aksidenteve,” tha ajo.
Juristja nënvizoi se Kodi i Ri Penal sjell disa përmirësime, por pa mekanizma mbështetës dhe një qasje më të drejtë ndaj qytetarëve, ndryshimet nuk do të kenë efektin e dëshiruar në praktikë.
© BalkanWeb