Chivu: I lumtur për kalimin e turit, ta luajmë pa obsesione derbin ndaj Milanit
5 Shkurt 2026
8:10
Alfred Lleshi
Interi i “rezervave” mposhti Torinon dhe u kualifikua në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Cristian Chivu u shfaq i kënaqur, por shmangu vlerësimet: “Një notë për Interin? Nuk jap nota, sepse nuk jam gazetar dhe nuk bëj ‘fantacalcio’. Jam i lumtur për paraqitjen, treguam energjitë e duhura. Është normale të vuash pak në fund, sepse del krenaria e kundërshtarit. Jam i lumtur për kalimin e turit”.
Trajneri rumun shpjegoi rotacionin e gjerë: “Lamë jashtë lojtarë të rëndësishëm? E dimë kë kemi përballë dhe punën e bërë muajt e fundit. Në këto ndeshje duhen këmbë dhe energji; zgjedhjet u bënë sipas atyre që sot kishin më shumë karburant. Janë zgjedhje në funksion të ndeshjeve të luajtura dhe atyre deri në fund të shkurtit”.
Chivu përgëzoi Cocchi, Kamate, Stefano Vecchi dhe stafin e U-23. Për merkaton pa përforcime: “Një trajner dhe një skuadër mund të përmirësohen gjithmonë, pavarësisht merkatos. Shoqëria u përpoq deri në fund, por fatkeqësisht merkatoja dimërore është gjithmonë e vështirë. Kemi 23 lojtarë, plus djemtë e U-23”. Për derbin: “Më pëlqen të luajmë pa obsesione. Obsesionet sjellin zhgënjime. Duhet të punojmë fort për të qenë gati”.