Como bën lojën, Milan merr pikët. Një super Rabiot dhe super Maignan i japin fitoren (video)
15 Janar 2026
22:42
Telesport
Në “Giuseppe Sinigaglia”, Como është mundur 1-3 nga Milan, sfidë e vlefshme për javën e 20-të në Serie A. Como e drejtuar nga Cesc Fabregas gjeti avantazhin që në minutën e 9-të.
Pas një skeme të nisur nga goditja e këndit dhe më pas nga harkimi në zonë i Martin Baturina, ishte mbrojtësi gjerman Marc Oliver Kempf, që kërcoi mbi mbrojtësit e Milanit dhe dërgoi topin në rrjetën e Mike Maignan.
Në minutën e 24-të, Como pati një rast shumë të mirë për të dyfishuar shifrat me Nico Paz, por Mike Maignan reagon në momentin dhe mënyrën e duhur. Në minutën e 40-të, Como i afrohet sërish golit të dytë. Goditje me kokë nga Da Cunha, por Maignan bën një super pritje.
Në fund të pjesës së parë, Milan barazon shifrat me Christopher Nkunku, nga pika e bardhë e penalltisë, pas një faulli në zonë nga Marc Oliver Kempf ndaj Adrien Rabiot. Pjesa e parë mbyllet 1-1.
Pjesa e dytë nisi më mirë për Milanin, që gjeti golin e avantazhit pas një aksioni të shpejtë dhe asistit të mrekullueshëm të Rafael Leao për Adrien Rabiot, francezi dërgon topin në rrjetë me një goditje me të majtën brenda zonës, në minutën e 55-të.
Në minutën e 58-të, Como i afrohet golit të barazimit, por goditja e Nico Paz përplaset në traversë. Në minutën e 84-të, sërish Como i afrohet golit me Nico Paz, por argjentinasi ka qenë shumë i pafat sonte.
Në minutën e 87-të, ishte Adrien Rabiot, “Lojtari më i mirë i ndeshjes”, i cili vulosi fitoren e Milanit me një gol të bukur me një goditje të fortë nga distanca. Pas kësaj fitoreje, Milan ngjitet në vendin e dytë me 43 pikë, tri pikë më pak se Interi kryesues. Como mbetet në vendin e 6-të me 34 pikë.