Conte fiton për herë të pestë “Panchina d’Oro”: Vlerësim kolegësh, krenari e vërtetë
3 Shkurt 2026
10:20
Alfred Lleshi
Antonio Conte ka fituar për herë të pestë në karrierë çmimin “Panchina d’Oro”. Trajneri i Napolit e kishte fituar më parë tri herë me Juventusin dhe një herë me Interin. Çmimi, në edicionin e 34-t, jepet çdo vit nga trajnerët për kolegët e tyre gjatë kursit të përditësimit në “Coverciano”. Pas titullit kampion sezonin e kaluar dhe fitores së Superkupës Italiane në dhjetor, Conte ishte favorit dhe triumfoi me 20 vota.
“Është gjithmonë kënaqësi e madhe ta marrësh këtë çmim, sepse vjen nga kolegët që e dinë çfarë do të thotë të jesh trajner çdo ditë”, – u shpreh Conte, duke falënderuar lojtarët, stafin dhe klubin. Çmimi iu dorëzua nga Gravina dhe Simonelli; pas tij u renditën Gasperini dhe Fabregas.
Çmime të tjera: në Serie B fitoi Giovanni Stroppa (Cremonese), në Serie C fitoi Fabio Gallo (Entella), ndërsa “Panchina d’Oro Speciale” shkoi për Enzo Maresca. Conte iu përgjigj edhe Allegrit me këtë rast për kalendarin e ngjeshur: “Nuk e di çfarë ka thënë, por ai po luan pak… Luhet shumë, por të gjithë flasin dhe askush nuk bën gjë”.