Conte injoron Diego Costa: Ka njerëz inteligjentë dhe budallenj, nuk humb kohë me to
28 Janar 2026
10:07
Alfred Lleshi
Sulmi verbal i Diego Costa ndaj Antonio Conte ka bërë xhiron e mediave, por nuk ka prodhuar reagimin e zjarrtë që shumë prisnin. Trajneri i Napolit ka zgjedhur një linjë të qartë: asnjë përplasje personale, asnjë ulje në nivelin e ofendimeve, vetëm qetësi dhe shuarje e menjëhershme e debatit.
I pyetur për deklaratat e ish-sulmuesit spanjoll, i cili e kishte etiketuar si “personin më të keq të mundshëm”, duke shtuar edhe sulme personale, Conte është treguar i drejtpërdrejtë dhe pa ekuivoke: “Në botë ka njerëz inteligjentë dhe njerëz budallenj. Unë nuk humbas kohë dhe energji duke lexuar deklaratat e këtij apo atij”.
Një përgjigje e shkurtër, por domethënëse, që nënvizon refuzimin total të italianit për t’u përfshirë në polemika jashtë kontekstit sportiv. Conte ka injoruar çdo insinuatë mbi jetën private, duke e zhvendosur qëllimisht vëmendjen te fusha dhe faktet konkrete.
Duke iu kthyer të shkuarës te Chelsea, trajneri ka rikujtuar marrëdhënien profesionale me Costa: “Unë mund të flas për futbollin. Diego Costa ka luajtur një sezon për mua, kemi fituar bashkë Premier League, por ai donte të largohej plot tri herë brenda një viti”.