Davide Ancelotti, lamtumirë Botafogos pas vetëm 5 muajsh. Shkarkohet pse mbrojti stafin e tij
18 Dhjetor 2025
9:52
Alfred Lleshi
Eksperienca e parë si trajner i parë për Davide Ancelottin përfundon me shkarkim të parakohshëm dhe të hidhur. Aventurës braziliane të djalit të Carlo Ancelottit, aktualisht trajner i Seleçaos, i erdhi fundi pas vetëm 5 muajsh nga mbërritja në Rio de Janeiro. Botafogo njoftoi zyrtarisht largimin e trajnerit 36-vjeçar, kontrata e të cilit skadonte në dhjetor 2026, pas një serie takimesh të zhvilluara. Përtej rezultateve zhgënjyese, vendimtare ishte përplasja e brendshme me drejtuesit.
Bilanci sportiv nuk e ndihmoi. Botafogo e mbylli kampionatin në vendin e gjashtë, 16 pikë larg Flamengos kampione, dhe u eliminua në 1/8-at e “Copa Libertadores” nga LDU Quito. Sipas “O Globo”, vlerësimi fillestar ishte pozitiv, por u rëndua nga numri shumë i lartë i dëmtimeve muskulore.
Prishja përfundimtare lidhet me menaxhimin atletik. Bordi kërkoi shkarkimin e përgatitësit atletik Luca Guerra, njeri i besuar i Ancelottit. Refuzimi për ta sakrifikuar bashkëpunëtorin çoi në një çarje të pakthyeshme dhe në zgjidhjen e menjëhershme të kontratës.