Debat i ashpër në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Teliti kërkon transparencë mbi drejtimin e bashkisë pas rikthimit të Veliajt nga GJK
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës është shoqëruar me tensione, pasi këshilltari i Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, ka kërkuar sqarime urgjente mbi mënyrën se si po funksionon ekzekutivi i bashkisë pas zhvillimeve të fundit ligjore.
Teliti akuzoi mazhorancën se po tenton të ruajë të njëjtën qeverisje në bashki pavarësisht situatës së krijuar: “E nxorët nga dera kryetarin e bashkisë dhe e futët nga dritarja. Ky këshill duhet të fusë urgjentisht në rend dite diskutimin se çfarë po ndodh në bashki,” deklaroi ai.
Këshilltari demokrat u ndal edhe te deklarimet e kryetares së komanduar të bashkisë, e cila, sipas tij, ka pranuar se nuk është e zgjedhur dhe se nuk mban përgjegjësi të plotë: “Kryetarja e komanduar tha ‘nuk jam unë e zgjedhur, mos më kërkoni llogari’. Atëherë kush mban përgjegjësi për vendimet?” pyeti Teliti.
Ai shtoi se situata është bërë edhe më e paqartë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe veprimeve të kryetarit, i cili, sipas tij, “nuk është fizikisht në detyrë”.
“Kush është ekzekutivi i kësaj bashkie? Si po menaxhohet Bashkia e Tiranës? Qytetarët meritojnë ta dinë,” përfundoi Teliti.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb