Debatet/ Blushi: Komisioni hetimor, e drejtë kushtetuese e opozitës! Manja: Ç’është kjo ‘ka kapur për fyti drejtësinë’?!
Në seancën e Komisionit të Ligjeve janë zhvilluar debate të tensionuara mes deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, dhe kryetarit të komisionit, Ulsi Manja, lidhur me projektligjin për Komisionet Hetimore, të cilin opozita e ka kundërshtuar në mënyrë të hapur.
Blushi argumentoi kundërshtimin e opozitës duke theksuar se ky projektligj vjen në një moment kur, sipas tij, Mazhoranca ka “kapur për fyti” Sistemin e Drejtësisë. Ai vuri theksin veçanërisht te neni 2, duke kujtuar komisionit nenin 77 të Kushtetutës, i cili sipas tij është i qartë dhe nuk ka nevojë për interpretime shtesë.
“Ka dy aspekte. E para është fakti që ky projektligj vjen në një moment kur Mazhoranca ka kapur për fyti Sistemin e Drejtësisë. Për këtë arsye ne jemi kundër në tërësi, dhe veçanërisht për nenin 2,” tha Blushi.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, u përgjigj duke e kundërshtuar këtë interpretim:
“Ç’është kjo ‘ka kapur për fyti drejtësinë’? Neni 2 ndryshon nenin 5… Çfarë janë këto? Unë dhe Bylykbashi kemi marrë pjesë në shumë komisione. Kur lexon nenin 77, lexo edhe nenin 3 të Kushtetutës. Opozita mund të kërkojë komision hetimor…?”, u shpreh Manja.
Tedi Blushi: Së pari ne nuk duhet të harrojmë kontekstin në të cilin ky projektligj vjen për miratim në Parlament.
Ka dy aspekte, e para është fakti që ky projektligj vjen në një moment kur kjo Mazhorancë ka kapur për fyti Sistemin e Drejtësisë.
Pse ne jemi kundër këtij projektligji në tërësinë e tij dhe vecanërisht për nenin 2.
Së pari, unë duaj t’ju kujtoj ju dhe të gjithë komisionit, nenin 77 të Kushtetutës, që është shumë i qartë, nuk ka nevojë për asnjë interpretim.
Neni 77 i Kushtetutës, pika 2, sanksionon:
Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesë të 1 /4 së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë KomisionHetimi për të shqyrtuar një cështje të vecantë.
Neni 77, pika 2 e Kushtetutës, nuk e detyron Kuvendin që të gjejë një konsensus mes Mazhorancës dhe Opozitës në lidhje me objektin e hetimit.
Është Kushtetuta.
Tani ju keni sjellë një projektligj me super fuqi, pra që shkel dhe Kushtetutën, kërkon ta kapërcejë edhe nenin 77 dhe kërkoni që ne të japim konsensus.
Dhe pak më parë po shpjegoja kontekstin në të cilin vjen ky projektligj.
Kur ju e keni kapur drejtësinë dhe nuk i keni lënë mundësi interesit publik të prevalojë mbi interesin politik të kësaj Mazhorance dhe mbi të gjitha kur keni rrëzuar një sërë kërkesash përKomisione Hetimore nga ana e opozitës.
Tani me një ligj të thjeshtë të propozuar nga Taulant Balla, ju të ndryshoni Kushtetutën.
Tani a ka sens?
Të paktën bëhuni serioz në raport me Kushtetutën, se nuk po ju kërkoj të bëni ndonjë interpretim të thelluar ligjor.
Është neni 77, pika 2, në momentin kur 1 /4 e Kuvendit kërkon Komision Hetimi, ky Komision Hetimi ngrihet.
Ku e lexoni këtë fjalë, duhet patjetër konsensus, pastaj konsensus me kë?
Me një shumicë e cila ka bllokuar hetimin Parlamentar , me një shumicë e cila ka kapur drejtësinë dhe nuk ka hetim fare këtu?
Këtu ka vetëm gjyqe politike dhe qëndrime politike të një mazhorance, e cila nuk ka vullnet të hetojë anëtarët e vet.
Dhe kemi rastin e fundit të GJKKO-së që besoj është i qartë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb