Debutoi në Champions ndaj Milanit dhe shënoi dy herë ndaj Barcelonës, Inter vepron shpejt dhe ka gati zyrtarizimin e yllit kroat
22 Janar 2026
17:41
Telesport
“Gazzetta dello Sport” zbulon se Inter është shumë pranë zyrtarizimit të marrëveshjes me Dinamo Zagreb për transferimin e mbrojtësit të ri kroat, 18-vjeçarit Leon Jakirovic, për shifrën 5 milionë euro.
Mbrojtësi i ditëlindjes 2008 konsiderohet si një nga lojtarët e rinj më premtues në Kroaci dhe ndaj tij ka pritshmëri të shumta. Jakirovic ka debutuar me ekipin e parë të Dinamo Zagreb që kur ishte 16 vjeç.
Ai tërhoqi vëmendjen e shumë klubeve të njohura në Ligën e të Rinjve UEFA të sezonit të kaluar, duke shënuar dy herë kundër Barcelonës, në një ndeshje dramatike eliminatore.
Jakirovic gjithashtu bëri debutimin e tij në Champions League para se të mbushte 18 vjeç, në fitoren e Dinamo Zagreb ndaj Milanit. Pozicioni i tij natyral është mbrojtës qendëror, por mund të luajë edhe në krahun e djathtë.
Për Jakirovic ka pasur interes të madh edhe nga klubet e tjera si Napoli, Barcelona dhe Salzburg, por Inter është treguar më i shpejt. Këto ditë lojtari do të kryejë testet mjekësore dhe më pas do të vijë firma në kontratë.