Di Maria “kurorëzon” Nico Paz: I denjë për Real Madridin, por bëri mirë që qëndroi te Como
27 Janar 2026
10:29
Alfred Lleshi
Angel Di Maria, në një intervistë për “As”, i ka kushtuar fjalë shumë pozitive Nico Paz, një nga protagonistët e sezonit në Itali me Comon. Argjentinasi theksoi se e ndjek rregullisht rritjen e talentit të ri dhe vlerësoi ndikimin e tij në fushë: “Nico Paz më ka tërhequr vëmendjen. Ka një potencial të jashtëzakonshëm rritjeje. E ndjek rregullisht dhe niveli i tij është shumë i lartë. Po luan në mënyrë spektakolare dhe tregon përmirësim të vazhdueshëm, duke i dhënë shumë gëzim Argjentinës”.
I pyetur për një rikthim të mundshëm te Real Madridi, Di Maria këshilloi kujdes: “Po, sigurisht. Problemi është se Real Madridi ka shumë lojtarë të mirë dhe të shkojë atje vetëm për të qëndruar në stol nuk është ide e mirë. Qëndrimi te Como po i bën shumë mirë; është i sigurt në vete, është përmirësuar krahasuar me sezonin e kaluar dhe jam shumë i lumtur për të. Do ta ketë mundësinë të luajë për një klub të madh”.
Di Maria foli edhe për të ardhmen e tij si trajner: “Sigurisht. Kur të dal në ‘pension’, do të përqendrohem te trajnimi. Do ta marr me qetësi”. Sa i përket një modeli, ai shtoi: “Do të përpiqem të jem vetvetja, ashtu siç isha si lojtar. Nuk dua të pasqyrohem tek askush tjetër, skuadra ime duhet të bëjë atë që më vjen natyrshëm”.