Dinamo fiton derbin e kryeqytetit me përmbysje spektakolare, Egnatia me ritëm kampioni
23 Dhjetor 2025
20:02
Telesport
Janë lujtur sot dy ndeshjet e para të javës së 18-të për Abissnet Superiore, java e fundit për këtë sezon kalendarik. Në “Arenën e Demave, derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Dinaos dhuroi 4 gola dhe një përmbysje spektakolare të “Bluve”.
Partizani gjeti golin më Rrok Tomën, në fund të pjesës së parë. Pas krosimit perfekt të Vusal Isgandarli, Toma i harruar në zonë nga mbrojtësit blu, dërgoi me kokë topin në rrjetë. U desh edhe konfirmimi i VAR për golin, që e cilësoi të rregullt. Pjesa e parë është mbyllur 1-0 për të kuqtë.
Në pjesën e dytë, erdhi përmbysja e madhe e Dinamos. Në minutën e 48-të, Dejvi Bregu tregon gjithë klasin e tij, duke ekzekutuar në mënyrë perfekte një goditje dënimi. Në minutën e 73-të, Guindo nuk e kishte të vështirë të shënonte, pas asistit fantastik të Bernard Berishës.
Në minutat shtesë, Bytyçi shkakton autogol duke devijuar në rrjetë topin e futur në zonë nga Janjeva. Dinamo fiton 1-3 dhe ngjitet në vendin e 3-të me 32 pikë, Partizani mbetet në vendin e 6-të me 23 pikë.
Në “Niko Dovana” ishte një ndeshje shumë e luftuar mes Teutës dhe Egnatias, po në fund rrogozhinasit fituan 0-1, duke marrë 3 pikë të arta në transfertë. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.
Në minutën e 58-të, Jurgens gjen golin për durrësakët, por anullohet nga VAR për pozicion jashtë loje. Në minutën e 60-të, Egnatia do të zhbllokonte shifrat. Kastriot Selmani do të dërgonte topin në rrjetë, pas një pasimi të gjatë të marrë nga Albano Aleksi, që nga mbrojtja. Në minutat shtesë, Egnatia mbetet me një lojtar më pak, pas kartonit të kuq të Aljev, por rezultati nuk ndryshon, mbetet 0-1. Egnatia mban vendin e parë me 37 pikë, Teuta vendin e 5-të me 25 pikë.