Ditët e Nëntorit në “Syrin” e historisë/ Duka: Shqiptarët kontribut me rëndësi në Luftën e Dytë Botërore. Shqipëria, në anën e duhur të historisë
Historiani Ferit Duka, i ftuar në “Kjo Javë” në News 24 me moderatoren Nisida Tufa, solli një këndvështrim historik të 28 Nëntorit, duke u ndalur tek rëndësia e kësaj ditë të rëndësishme për shqiptarët, 113 vjetorin e Pavarësisë.
Gjatë intervistës, Duka tha se është historia tashmë është e ditur edhe pse shtoi se puna kërkimore apo hulumtuese nuk mbaron asnjëherë.
“Puna kërkimore, hulumtuese, konkluzionet që nxirren nuk mbarojnë asnjëherë. Unë mendoj që ato që janë themelore për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, janë thënë nga historia. Unë nuk them se kemi boshllëk shumë të madh, më tepër bëhen artificialisht sipas interesave. Por nga pikëpamja e interesit shkencor shumë çështje janë thënë. Por e theksoj se historia nuk mbaron në një datë të caktuar. Secili brez vjen në skenë me mendimet e veta, fuqinë e vet të kërkimit të analizës, veçoritë e kohës sepse ka të bëjë edhe koha kur studiohet historia. Sepse koha e komunizmit la gjurmët e veta. Solli ato rezultate, por solli edhe ato dëme që i ka korrigjuar historigrafia”.
A është e gatshme të bëjë historigrafia paqe me vetveten?
Historiani Duka: Unë mendoj që po. Ka kërkues të rinj që kanë meritën e tyre. Për zgjerimin e kërkimeve, për shqyrtimin e shumë burimeve. Pra mendohet se historigrafia ka mbetur në vend. Por jo ka punime që ndriçojnë nga një këndvështrim i ri…
Më tej u shpreh se është e natyrshme që gjithnjë të ketë oponencë apo pretendime për të thelluar studimet historike.
“Sipas mendimit tim, një gjë nuk kontestohet, Shqiptarët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në Luftën e Dytë Botërore. U rreshtua përkrah Aleancës Antifashiste Botërore që nuk ishte gjë e vogël. Sot është nder i madh që Shqipëria e ka sot në pasaportën e vet edhe për integrimet europiane. U rreshtua në anën e duhur të historisë. Askush nuk konteston dot që Shqipëria dhe shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë treguar shkallë të lartë humanizmi, besnikërie duke shpëtuar nga rreziku nazist kushedi sa hebrenj dhe familje hebrenjsh”, tha ai.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb