Donald Trump ashpërson sërish tonet ndaj Evropës
Presidenti amerikan, Donald Trump përsëriti mbrëmë kritikat ndaj Evropës në lidhje me migracionin dhe politikën e energjisë.
Trump i bëri thirrje Britanisë së Madhe të rrisë prodhimin e naftës në Detin e Veriut duke thënë se e kishte këshilluar kryeministrin Keir Starmer të shfrytëzonte këtë burim të madh energjie, përndryshe ai rrezikon të mos qëndrojë gjatë në detyrë.
Duke folur para mbështetësve në Pensilvani, Trump deklaroi për evropianët se ”duhet të jenë të kujdesshëm, sepse migracioni dhe energjia do të shkatërrojnë Evropën”.
”Politika e migracionit është aq e dobët sa po shkatërron Evropën tonë të bukur”, deklaroi Trump për evropianët.
”Unë e dua Evropën”, shtoi ai më pas.
Deklaratat e Trumpit u bënë gjatë një fjalimi që ngjante me një tubim elektoral, ku fillimisht u ndal te çështjet ekonomike të brendshme, si çmimet në supermarkete, përpara se ta përdorte skenën për të forcuar kritikat që administrata e tij ka drejtuar ndaj partnerëve evropianë prej ditësh.
Ai bëri komente të ngjashme më herët këtë javë për politikën e migracionit dhe energjisë, veçanërisht ndaj Gjermanisë. Javën e kaluar, administrata amerikane publikoi strategjinë e re të sigurisë kombëtare për mandatin e dytë të Trumpit.
Dokumenti flet për një kinse erozion të demokracisë dhe lirisë së shprehjes në Evropë.
Sipas administratës, kontinenti po përballet me probleme të mëdha, përfshirë ”censurimin e fjalës së lirë dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e normave të lindshmërisë, si dhe humbjen e identiteteve kombëtare dhe vetëbesimit”.
Publikimi i këtij dokumenti ka shkaktuar zemërim në mbarë Evropën/abcnews.al