Donnarumma, portieri më i mirë në botë 2025: Shpresoj të bëj edhe më shumë
17 Dhjetor 2025
9:03
Alfred Lleshi
Gianluigi Donnarumma ka fituar “Best FIFA Award 2025” si portieri më i mirë i vitit. “Gardiani” i kombëtares italiane, sot pjesë e Manchester City, la pas emra të mëdhenj si Alisson, Courtois, Emiliano Martinez, Neuer, David Raya, Yann Sommer dhe Wojciech Szczesny, duke u bërë italiani i parë që e fiton këtë çmim pas Buffonit në vitin 2017. Fituesi u njoftua nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
“Është një nder i madh ta marr këtë çmim, jam shumë i lumtur. Shpresoj të vazhdoj kështu, të bëj edhe më shumë”, – deklaroi Donnarumma. Ai falënderoi votuesit dhe theksoi krenarinë për t’u shpallur më i miri në botë. “Fitorja e Champions League me PSG-në do të mbetet përjetë në kujtesën time. Ky trofe më motivon për suksese të reja me Manchester City”.
Pas një viti të jashtëzakonshëm, me Ligue 1, Kupën e Francës, Champions League me PSG-në dhe vendin e dytë në Kupën e Botës për Klube, Donnarumma e mbyll 2025-ën me çmimin më prestigjioz individual.