“Donte ta eliminonte në lokal, i thashë ‘do ketë viktima’”, “Pentito” zbardh skemën: Vendosëm të vrisnim Besmir Haxhinë, që në varrimin e tij të hiqnim qafe Altin Ndocin
Rrëfime dramatike ka bërë sot në sallën e gjyqit i penduari i drejtësisë, Henrik Hoxhaj. Ky i fundit ka deklaruar se bashkë me Nuredin Dumanin, kishin bërë gati planin për eliminimin e Besmir Haxhisë dhe përfshirjen e emrave të tjerë të botës së krimit.
Hoxhaj deklaroi se kanë diskutuar edhe për Altin Ndocin, duke shtuar se, sipas Dumanit, këta persona po përpiqeshin t’i “ngarkonin” atij ngjarjet kriminale. Në atë periudhë, gjatë pandemisë së Covid-19, Tirana ishte pothuajse bosh dhe, sipas Hoxhajt, Ndoci ishte i vështirë për t’u gjetur, pasi banonte në zonën e Misto Mames, ku binte shumë në sy.
Në këto rrethana, sipas dëshmisë, u vendos që të vritej një nga vëllezërit Haxhia, me qëllim që Altin Ndoci të merrte pjesë në varrim dhe më pas të ekzekutohej. Sipas Dumanit, të gjithë këta persona ishin të lidhur me Talo Çelën. Objektivi kryesor i atentatit ishte Besmir Haxhia. Hoxhaj tha se ishte informuar edhe me fotografi për shënjestrën. Ai shtoi se për këtë ngjarje qëndroi dy ditë në shtëpinë e Nuredin Dumanit, ndërsa shofer ishte Klevis Alla. Sipas Hoxhajt, Besmir Haxhia kishte disa makina me qira dhe një agjenci turistike. Për atentatin u përdorën tre kallashnikovë dhe një armë brezi. Ekzekutorë do të ishin vetë Hoxhaj dhe Duman, ndërsa fillimisht ishte planifikuar që vrasja të kryhej në një lokal bastesh. Hoxhaj tha se e kundërshtoi këtë plan, nga frika se mund të vriteshin persona të pafajshëm.
Më pas, grupi u nis me një automjet tip “Toyota” me portobagazh. Hoxhaj deklaroi se kishte një kallashnikov dhe një armë të shkurtër, ndërsa ishin të veshur me uniforma të ngjashme me ato të OFL-së dhe kishin edhe maska silikoni. Ngjarja ndodhi në zonën e Shënavlashit. Sipas dëshmisë, pasi konstatuan se Besmir Haxhia po udhëtonte me vëllanë e tij, vendosën t’i ndiqnin. Pasi automjeti i shënjestrës u bllokua në trafik, autorët iu afruan nga një rrugë anësore dhe hapën zjarr. Hoxhaj dhe Duman qëlluan me armë zjarri, ndërsa ky i fundit zbriti nga makina, por armët e tij u bllokuan. Më pas, Hoxhaj zbriti dhe qëlloi disa herë, duke goditur shoferin.
Pas atentatit, grupi u largua drejt Tiranës. Po ashtu ai tregoi se kapuçët u hodhën në Vorë, ndërsa armët u lanë në automjet, të cilin e mori shoferi. Hoxhaj deklaroi se për këtë ngjarje mori pagesën prej 35 mijë eurosh. Ai theksoi se nuk kishte komunikim të drejtpërdrejtë me personin e njohur si Krymi. Pas arrestimit të Klevis Allës, Hoxhaj tha se i kishte shprehur shqetësimin Dumanit, por ky i fundit e kishte siguruar që të mos shqetësohej. Sipas Hoxhajt, Klevis Alla ka deklaruar më pas se pas ngjarjes qëndronin Altin Ndoci dhe Talo Çela, një pretendim që, sipas tij, e ka habitur.
DESHMIA
Hoxhaj: Më vonë kemi folur për Altin Ndocin.
Arsyeja ishte se Nuredini thoshte se këta donin t’ia ngarkonin atij ngjarjet e tyre. Ishte kohë Covid-i. Tirana ishte bosh. Ndoci e kishte shtëpinë në Misto Mame, por aty binte në sy dhe nuk e gjeje dot. Atëherë u vendos të vritej një nga vëllezërit Haxhia, që ai të vinte në varrim dhe më pas të ekzekutohej. Sipas Nuredinit, këta ishin të gjithë bashkë me Talo Çelën. Objektivi ishte Besmir Haxhia. Do ishte edhe Nuredini. Më duket se ma ka sjellë edhe një foto. Unë isha bashkë me Nuredinin. Shofer ishte Klevis Alla. Kur kam shkuar për këtë ngjarje, kam qëndruar dy ditë në shtëpinë e Nuredinit.
Besmiri kishte disa makina me qira dhe një agjenci turistike. Për ngjarjen përdorëm tre kallashnikovë dhe një armë brezi. Ekzekutorë do ishim unë dhe Nuredini. Ai donte ta bënim te një lokal bastesh, ta thërriste aty. Unë nuk pranova. I thashë: ka shumë njerëz, do vriten njerëz kot. Më vonë u nisëm me një “Toyota” me portobagazh. Unë kisha kallashnikov në dorë dhe edhe një armë të shkurtër pranë. Veshjet i kishim si uniforma OFL. Kishim edhe maska silikoni, por unë nuk e vura. Dolëm në drekë nga shtëpia. Në Shënavlash, kur kaloi makina e tij, shoferi ynë e pa që ishte me vëllanë. I tha Nuredinit që ishte me vëllanë. “E mirë”, tha, “i vrasim”. I ndoqëm për pak. Ata ecnin shpejt. Pastaj u bllokuan në trafik. I dolëm nga anësorja dhe hapëm zjarr. Qëllova edhe unë edhe Nuredini.
Nuredini zbriti nga makina. I thashë pse del kot, se i kanë mbaruar. Nuredinit i u bllokua arma, pastaj iu bllokua edhe tjetra. Pastaj mora unë armën, zbrita dhe godita disa herë. Unë godita shoferin. Shoferi na çoi te makina e Nuredinit dhe shkuam në Tiranë. Kapuçët i hodhëm në Vorë. Armët i lamë në makinë, të cilën e mori shoferi.
35 mijë euro mora edhe për këtë. Unë nuk kisha komunikim me Krymin. Kur mora vesh që ishte arrestuar Klevis Alla, i thashë Nuredinit: “Çfarë bën, na more në qafë.” Nuredini tha: “Mos u shqetëso.”. Kur është kapur ai, ka thënë që Altin Ndoci dhe Talo Çela kanë qenë mbrapa. Unë u habita dhe thashë: “Çfarë thotë ky?”
© BalkanWeb