“Dronët sot kanë zëvendësuar armët”, Nikos Dendias: Egjeu nuk mund të mbrohet vetëm me flotë, por…
Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, theksoi se një vend që synon të zhvillojë realisht aftësi mbrojtëse ka nevojë për një ekosistem të plotë mbrojtjeje.
Ai u shpreh se Greqia synon të vërë në lëvizje kapacitetin e saj shkencor dhe të prodhojë teknologji të avancuar, për t’i siguruar një avantazh teknologjik ndaj kërcënimeve.
Duke folur në konferencën “Greqia në Perspektivë Globale”, ai theksoi se mjedisi gjeopolitik ka ndryshuar plotësisht, ndërsa për Greqinë ka qenë prej vitesh problematik.
Që nga viti 1952, tha ai, Greqia ka jetuar me kontradiktën se, ndonëse është pjesë e NATO-s, kërcënimi kryesor i sigurisë i vjen nga një vend po ashtu anëtar i Aleancës, pra nga Turqia.
Dendias vuri në dukje se optimizmi global pas vitit 2000 nuk u konkretizua dhe sot bota përballet me konflikte të shumta, pushtimin rus të Ukrainës, luftën Azerbajxhan–Armeni, krizat në Afrikën Subsahariane dhe Sudanin, duke krijuar një mjedis të përgjithshëm paqëndrueshmërie.
Në brigjet e Mesdheut, shtoi ai, ndodhen dy “shtete të dështuara”: Siria dhe Libia, çka e detyron Greqinë të zhvillojë Forca të Armatosura të forta dhe të përgatitura për kërcënime moderne.
Ai tha se epoka aktuale, sidomos me zhvillimin e dronëve, kërkon zgjidhje të reja teknologjike.
Për këtë arsye, Greqia ka ndryshuar tërësisht doktrinën e mbrojtjes. Sipas tij, deti Egje nuk duhet të mbrohet më kryesisht nga Flota, sepse anijet moderne janë shumë të shtrenjta dhe të ekspozuara ndaj sulmeve të dronëve të lirë. Tashmë, pjesa më e madhe e mbrojtjes së Egjeut do të bazohet në sisteme raketore të lëvizshme të vendosura në ishuj, ndërsa Flota do të ketë liri veprimi në zona më të gjera.
Ai njoftoi se më 18 dhjetor Greqia do të marrë fregatën e parë franceze, ndërsa katër fregatat italiane do të jenë të pajisura me raketa strategjike me rreze mbi 1.500 km, duke krijuar një kapacitet të fortë parandalues.
Në fushën e mbrojtjes ajrore, Dendias theksoi se nuk është më e arsyeshme që Greqia të varet kryesisht nga aviacioni luftarak, pasi sistemet moderne tokësore kundërajrore mund të neutralizojnë avionët, siç tregon edhe rasti i luftës Rusi–Ukrainë.
Ai prezantoi konceptin e ri të mbrojtjes, “Ashielda e Akilit”, një qasje e integruar për mbrojtjen e hapësirës detare, ajrore e nënujore me sisteme raketore. Në këtë kuadër, Greqia po zhvillon edhe sisteme anti-drone. Sistemi i parë grek, “Këntaur”, tashmë është testuar në kushte reale në Detin e Kuq dhe do të vendoset si në fregata, ashtu edhe në tokë, me variante të quajtura “Orion” dhe “Tilemahos”.
Sa i përket ushtrisë tokësore, ministri theksoi se arma kryesore e ushtarit nuk është më pushka, por droni FPV, i cili është njëkohësisht armë dhe municion. Prandaj po ndryshon mënyra e trajnimit dhe po krijohet një rezerva aktive prej 150.000 vullnetarësh, për të arritur në rreth 250.000 rezervistë të trajnuar.
Dendias shtoi se për të zhvilluar kapacitete të reja mbrojtëse, Greqia po bashkëpunon ngushtë me komunitetin shkencor grek brenda dhe jashtë vendit, me institute kërkimore dhe universitete, për të kompensuar diferencën numerike me Turqinë përmes një “hapi të madh teknologjik”.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb