Durrësi i përmbytur “skenë krimi”/ Bllokohen kanalet! Hidrovori i ri gati jo funksional
Pyetja që kërkon përgjigje më shumë se nga ekspertë duhet të vijë nga Prokuroria e Durrësit, e cila po diskuton hapjen e hetimeve kryesisht për akuzën: “shkatërrim i pronës me pasoja të rënda; dhe shpërdorim detyre”. Kjo nisur edhe nga fakti se në duar ka një rast të rëndë për t’i dhënë përgjigje. Një 54-vjeçar punonjës i ndërmarrjes komunale Plazh Durrës, u gjet i mbytur nga polumbarët në një kanal kullues pranë zonës së Plepave.
Ankesa kudo, bashkë me pikëpyetjen nga erdhi kjo fatkeqësi, nga Zoti, natyra të cilët Durrësin e përmbytën nga padija apo interesat e vogla të treshes; pushtet qëndror-pushtet lokal-biznes?!. “Mbyllja e hidrovorit të vjetër dhe spostimi i hidrovorit të ri në një kuotë më të lartë kanë sjellë këtë pasojë katastrofike”-thotë për Faktoje.al, inxhnieri hidro dhe i porteve, Tomor Spahiu.
Historiku i hidrovorit të vjetër
Hidrovori i ri është gati jo funksional
Më tej shton se: “Ndërtimi nga qeveria shqiptare dhe vendosja në funksion e një hidrovori të ri po në zonën e Porto-Romanos, nuk ka sjellë përmirësime të dukshme në përballimin e përmbytjeve në qytet, përkundrazi që prej vitit 2025 ato po vijnë dhe po zgjerohen në hartën e zonave që prekin”. “Në disa hulumtime në Median Amfora ne kemi dokumentuar sesi Ujësjellësi i Durrësit që prej vitit 2013 ka marrë mbi 150 milion euro kredi për të investuar në rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimeve, por dukshëm nuk ka arritur që ta përmirësojë situatën në terren”, thotë Emiri.
Pasoja
Si për ironi, rruga “Shën Asti” (kleriku i parë martir, i kryqëzuar nga Romakët në vitin 78 pas krishtit, në Durrës), është aq e përmbytur sa pasojat notojnë kudo. Uji i shiut, përzier frikshëm me ujëra të zeza dhe naftë, ka nxjerrë në sipërfaqe shapka fëmijësh dhe lodrat e tyre, si shenjë domethënëse se përveç pasojave ekonomike, përhapja e infeksioneve të ndryshme nuk do jetë në kohë të largët. “Ka pasur përmbytje edhe më parë por kurrë si tani. Kam 30 vite këtu dhe nuk ka pasur përmbytje të tillë. Nuk ka mbetur më asgjë. Kanë dalë jashtë përdorimit gjithë mobiliet, lavatriçe, frigorifer, sobë, kuzhina e gjitha është dëmtuar. Bleva dhe divane të reja para vitit të ri, tani nuk përdoren më. Katastrofë.”, shprehet me dhimbje Albin Muçaj me origjinë nga Kukësi, i ardhur që në vitin 1996 në Durrës, teksa përsërit “shi ka rënë gjithnjë, edhe më shumë se këto dy ditë dhe nuk jemi përmbytur kështu”.
Nodhemi në rastet kur nuk ka nevojë të trokasësh në dyert e lagura, pasi banorët të kërkojnë secili për hesap të tij për të treguar me ngulm dëmet. Halli është i përbashkët. Arsyeja që dëmet janë vërtetë shumë të mëdha lidhet me shpejtësinë e përmbytjes ku brenda 20 minutash uji kapërceu mbi 60 centimetra në të gjithë katet e para. “Kam dëme shtëpie komplet. Dhjetë mijë euro mobilie më janë shkatërruar. Makina iku, shtëpia iku, kush do mi shpërblejë mua këta? U përmbytëm se bashkia hapi rezervuarin që të mos përmbytej një lokal dhe ujin e hodhi nga banesat. Po ashtu mbyllën edhe hidrovorin e vjetër”, flet plot acarim Altin Priftit, ndërsa këmbëzbathur vërtitet sa në oborrin e shtëpisë aq edhe buzë rrugës duke kërkuar me ngul: “të vijnë atë të bashkisë, ku janë”?. Në një nga daljet e fundit, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu ia faturuan problemin reshjeve të dendura të shiut.
Qyteti nën ujë
Në çdo rrugicë që futesh përballesh me të njëjtat probleme. Vetëm ata banesa që kanë qenë të ngritura të paktën 2 metra nga toka kanë pësuar më pak përmbytje, nga ish-këneta, deri në afërsi të Burgut të Durrësit, përmbytja vijon për të tretën ditë radhazi, ndërsa qyteti i Durrësit njohu një përmirësim të vogël të mërkurën, por prania e ujit edhe në zonën më të ngjeshur urbane vijon të jetë problem. “Kam shumë dëme në shtëpi, se e kam në kat të parë. Makinat janë dëmtuar dhe nuk e merr me mend se çfarë dëmesh na ka shkaktuar kjo përmbytje”, thotë një qytetar pranë zonës së Stadiumit të Durrësit.
“Kam të shkatërruar gjithë dhomën e gjumit të djalit me lavatriçe, frigorifer, televizor dhe çdo gjë. Jemi në katastrofë të madhe. Nuk kemi as ujë të pijshëm”, thotë për Faktoje, Bektash Shahini, një tjetër banor i Durrësit. Dëmtime të shumta janë kryesisht në automjete dhe bizneset e kateve të para, ndërsa ish-këneta ndodhet në situatë katastrofike. Hidrovori nuk ka punuar deri në orën 12 dhe këtë e dinë të gjithë. Kjo përmbytje është bërë me nxjerrë jashtë komunitetin nga këtu dhe me e bërë si 5 Majin në Tiranë, apo komunitete të tjera. As bashkia, as qeveria, as emergjanca nuk kanë ardhur. Zoti vuftë dorë mbi ne, se për shtet kemi mbaruar”, thotë për Faktoje Mark Ndrea.
Zgjidhja pa zgjidhje
Për inxhinierin e njohur Tomor Spahiu zona e ish-kënetës por edhe e gjithë pjesa urbane e Durrësit do kalojë katastrofë pas katastrofe edhe në vijim. “Duhet të rikthejnë në funksion hidrovorin e parë. Ai e mbante gjithë Durrësin. Po ashtu emergjente është hapja e dy kanaleve kryesore kulluese. Mënyra sesi është ndërtuar hidrovori i ri nuk vlen. Situata është shumë e rëndë, flas edhe si ekspert por edhe si banor i këtij qyteti”, thotë Spahiu, ndërsa e mbyll: “Ai që po e paguan është populli”.
© BalkanWeb