E plotë/ Balluku, Rama: Rast unikal në Europë! Pezullimi në Kushtetuese!
schedule13:50 – 21 Nëntor, 2025
Kryeministri Rama deklaroi se qeveria do të cojë në Gjykatën Kushtetuese pezullimin e zëvëndëskryeminstres Belinda Balluku. Edi Rama tha se ky vendim do të respektojë pavarësinë e drejtësisë por do të tentojë të ruajë dhe pavarësinë e ekzekutivit që sic tha ai, u cënua rëndë nga një vendim i një gjykatësi dhe një prokurori.
Fjala e plotë e kryeministrit Rama:
Nëse sot Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim ndër arsyet themelore është edhe fakti se Shqipëria po e lufton seriozisht korrupsionin dhe krimin e organizuar. Dhe padiskutim që sot edhe fakti që mund të bëhen pyetje me këtë përmbajtje lidhet me një epokë të re ku kemi hyrë, dhe në këtë epokë të re Shqipërinë e ka futur kjo shumicë qeverisëse me mua në krye.
Sa i përket rastit konkret dua të them tre gjëra:
Së pari, pavarësia e gjyqësorit, nuk është as një slogan, as manovër politike dhe as eksperiment i përkohshëm, por është një shkëputje historike nga e kaluara. Dhe e realizuar vetëm në vitet e fundit, kjo pavarësi ka sjellë risi absolute në jetën institucionale të Shqipërisë dhe zhvillime të padiskutueshme pozitive. Duke nisur nga një fakt i pamohueshëm, varrosja e kulturës 100 e kusur vjecare të pandëshkueshmërisë, por ama ka shfaqur edhe dobësitë e natyrshme të një pushtetit krej të ri, fëminor për nga mosha si edhe reflekse të vjetra antidemokratike.
Së dyti, dua të theksoj se pavarësisht dhe përtej kostove, të larta që kanë për vendin dhe jo thjesht për ne këto reflekse të vjetra antidemokratike, të trupave speciale për ne dhe mua mbrojtja e pavarësisë dhe ruajtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë janë parakushte, për cdo qëndrim nga ana jonë se siç thotë një fjalë e mencur, që mua më pëlqen shumë: Kurrë nuk duhet hedhur fëmija bashkë me ujin e pistë.
Dhe këtu vi te e treta, pezullimi nga detyra e një ministri në këtë rast edhe zv/kryeministri, drejtpërdrejtë përgjegjës për drejtimin e qeverisë në mungesë të kryeministrit, është një tjetër shfaqje e atyre dobësive që përmenda më lart të një pushteti krejt të ri dhe reflekseve antidemokratike.
Ky është një rast unikal në historinë e Europës dhe po ashtu edhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit europian të vendeve të ish Lindjes Komuniste, ku s’ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie.
Por, dhe ky është një ‘por’ shumë i madh, nëse një prokuror speciale dhe një gjykatës special I shkallës parë të speciales këtu në Shqipëri, kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cënim i drejtpërdrejtë I pavarësisë dhe funksionimit të një pushteti tjetër të pavarur, sci është ekzekutivit, duke marrë kompetencat e kryeministrit, të presidentit dhe të parlamentit prej nga buron mandati i qeverisë dhe i çdo ministri, zgjedhja jonë në raport me këtë fakt është strategjikja, si gjithmonë.
Për ta ruajtur dhe për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit si parakusht. Edhe në këtë rast ekstrem, e thënë drejtpërdrejt ne nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë lloj arbitrariteti dhe as do angazhohemi lart qoftë me një betejë politike retorike me drejtësinë.
Por do vazhdojmë me durimin tonë strategjik, do ruajmë dhe mbështesim pavarësinë e gjyqësorit, do respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe ndërkohë do kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cënuar të qeverisë vetëm te drejtësia në Gjykatën Kushtetuese. Këta jemi ne, ky jam unë dhe kështu do të jetë deri në fund, kur unë të kem privilegjin që të udhëheq Shqipërinë për ta bërë anëtare të BE-së.
Mbrojtja e pavarësisë së re dhe jo të përkohshme të sistemit të drejtësisë është prioriteti ynë absolut edhe përballë situatave kaq flagrante sa kjo situatë, për të cillën po drejtësia duhet të gjejë përgjigjen kushtetuese./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

