E premtja e dorëheqjeve europiane, e përditshmja e skandaleve shqiptare
Rumania dhe Ukraina dhanë dje dy shembuj të qartë se standardi politik funksionon vetëm nëse përgjegjësia qëndron më lart se posti.
Në Kiev, shefi i kabinetit të presidentit Zelensky, një nga figurat më të afërta të tij që prej fillimit të luftës me Rusinë, Andriy Yermak, ka dhënë dorëheqjen pas dyshimeve për korrupsion. Edhe pse nuk është i akuzuar, presioni politik dhe standardi institucional e detyruan të largohej menjëherë nga detyra.
Në Bukuresht, ministri rumun i Mbrojtjes, Ionut Mosteanu u tërhoq nga posti, pasi pranoi publikisht se kishte gënjyer në CV-në e tij për studimet universitare. Media zbuloi se ai kishte raportuar gabim vitin e diplomimit dhe institucionin arsimor. Kaq mjaftoi që Mosteanu të kërkonte falje duke e quajtur veprimin një “gabim personal”, gabim për të cilin standardi europian nuk fal.
Në fakt, Europa ka me dhjetëra shembuj dorëheqjesh, madje edhe për shpenzime simbolike apo arsye të vogla, sepse integriteti në detyrë është rregulli i pashkruar i politikës perëndimore.
E kundërta ndodh në Tiranë. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e pandehur nga SPAK për një skandalet të madh, lufton në gjykata për të qëndruar në detyrë dhe sillet sikur akuzat nuk ekzistojnë.
Dje pamë qartë dy kultura të ndryshme politike nga e jona. Në Rumani, një vend i BE-së dhe në Ukrainë, një vend në luftë, përgjegjësia është më e shpejtë se justifikimet. Duket se edhe një vend që lufton për mbijetesë, ka sot standarde më të mira se qeverisja jonë që pretendon të jetë europiane.
Standardi i Shqipërisë që aspiron të hyjë nē BE është i tillë; edhe kur hetimet janë të rënda dhe përgjegjësia politike është e qartë, funksionari nuk largohet, largohet përgjegjësia!
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb