E thonë statistikat, Lamine Yamal nuk lodhet së “shkatërruari” rivalët
7 Shkurt 2026
8:05
Alfred Lleshi
Barcelona do të luajë në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit për herë të 62-të në historinë e saj, ndaj Atletico Madridit. Katalanasit eliminuan Albacete, një hap tjetër drejt mbrojtjes së trofeut dhe e bënë këtë falë, edhe një herë, lojtarit më shpërthyes e vendimtar, Yamal. I riu e ka nisur vitin 2026 në mënyrë shkatërruese, me një seri spektakolare që konfirmon formën e tij të jashtëzakonshme.
Produkti i “La Masia” është i papërmbajtshëm, e shijon lojën, shënon, asiston. Ai është vendimtar në ecurinë pozitive të Barçës: fituese e Superkupës, lidere e La Liga-s, e kualifikuar direkt në 1/8 finale të Champions-it dhe në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit. Shifrat tregojnë qartë se Yamal ka rikthyer versionin e tij më të mirë, atë para shqetësimeve të pubalgjisë. Fillimi i tij 2026 është spektakolar. Askush nuk e ndjek ritmin e tij as në fushë, as në statistika. Në 6 ndeshjet e fundit, ose ka shënuar, ose ka asistuar, ose i ka bërë të dyja.
18-vjeçari ka 4 ndeshje radhazi duke shënuar, në tri kompeticione të ndryshme: kundër Albacete në Kupën e Mbretit, ndaj Elche në La Liga, kundër Kopenhage në Champions dhe ndaj Oviedo në kampionat. Lojtari i fundit i Barçës me një seri të tillë ishte… Leo Messi. Përveç kësaj, ai asistoi në ndeshjen kontinentale kundër danezëve dhe ndaj Real Sociedad, si dhe shënoi kundër Racing në Santander, në 1/8-at e finales së Kupës.
Forma e shkëlqyer e talentit blaugrana, i cili në total numëron 14 gola dhe 12 asistime, vlerësohet dhe duartrokitet nga të gjithë. Është golashënuesi i dytë i ekipit, pas Ferran Torres, si dhe lojtari që ka dhënë më shumë pasime vendimtare. “Lamine është një gjeni, – tha Joan Laporta pas ndeshjes së Kupës në Albacete. – Jemi të kënaqur, po shijon lojën. Është mirë, i është kthyer ajo shkëndija”. “Që ai ta shijojë lojën, është mirë për ne”, – shtoi Deco. “Është lojtar i nivelit botëror”, – theksoi shoku i tij i skuadrës, Gerard Martín.