Editoriali/ Balluku pa frikë, opozita pa zë. Një skandal që nuk lëviz askënd!
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u shfaq këtë të mërkurë për herë të parë në Kuvend, pas marrjes të pandehur nga SPAK dhe pas publikimit të të gjitha akuzave që rëndojnë mbi të.
Kjo ndodhi vetëm disa orë pasi opozita zhvilloi përballë Kryeministrisë një tubim të vogël, të paorganizuar dhe pa strukturë.
Kjo ndodhi vetëm disa orë pasi opozita zhvilloi përballë Kryeministrisë një tubim të vogël, të paorganizuar dhe pa strukturë.
Sesa e menduar dhe e kalkuluar ishte protesta, e dëshmon edhe një nga figurat e njohura të PD, Ilir Alimehmeti, i dyti më i votuari në listat e hapura të Tiranës, anëtar i këshillit kombëtar te partisë. Ai pohoi pak para fillimit të saj se nuk kishte njohuri si do zhvillohet ajo me saktësi, pasi sipas tij, “Këshilli Kombëtar nuk është mbledhur për ndonjë vendim”. Alimehmeti tha se është informuar vetëm nga mediat që kjo protestë do zhvillohet një herë në javë, me deklarata të deputetëve dhe njerëzve në bulevard.
Në fakt, ajo çfarë u pa të hënën para Kryeministrisë ishte një foltore e improvizuar, ku disa deputetë bënë deklarata të shpejta para pak njerëzve dhe u shpërndanë po aq shpejt, pa krijuar asnjë lloj presioni ndaj pushtetit.
Dhe nëse kthehemi pak pas në kohë, kontrasti është i fortë.
Për Erion Veliajn, opozita qëndroi me muaj para Bashkisë, ndërsa te Ministria e Infrastrukturës nuk guxon të shkojë. Rezultati? Balluku e ka rrugën të lirë. Ajo hyri në Parlament e pashqetësuar, madje u ngrit edhe në foltore duke deklaruar se është sulmuar personalisht, sikur akuzat e ngritura ndaj saj të mos ekzistonin.
Kjo tablo tregon qartë se sa energji dhe sa aftësi ka opozita për të marrë në dorë një kauzë kaq të madhe, kaq të qartë dhe të mbështetur me prova që janë tashmë në duart e SPAK-ut. Në vend që ta shndërrojë këtë moment në presion politik e publik, ajo tërhiqet duke i lënë pushtetit terrenin krejtësisht të lirë.
Me një skandal kaq të madh të një zyrtareje të lartë që vijon qetësisht punën, mungesa e reagimit të opozitës nuk është thjesht dobësi. Në fakt është dorëzim, është dështim, madje një shuplakë e hidhur për këdo që ende beson se opozita mund të udhëheqë një betejë të vërtetë!
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb