“Ekziston rreziku që Balluku të prishë provat”, gazetarja: Rikthimi në detyrë shton mundësinë për intimidimin e vartësve
Gazetarja e News24, Klodiana Lala, përmendi në emisionin “Kjo Javë” disa nga çështjet për të cilat po hetohet zv/kryeministrja Belinda Balluku, sic janë tenderat e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe, për të cilat Lala tha se SPAK vijon hetimet.
Sipas gazetares, ndërsa për tunelin e Llogarasë, SPAK e ka marrë zyrtarisht të pandehur Ballukun, për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe, gjatë kësaj kohe ka kryer kontrolle dhe ka marrë telefona.
Lala theksoi se për të gjitha këto arsye, ekziston rreziku që me rikthimin në detyrë, pas vendimit të sotëm të Kushtetueses, Balluku të prishë provat ose të intimidojë vartësit.
Klodiana Lala: Ky vendim i Kushtetueses nuk cënon hetimet e SPAK. Balluku është zyrtarisht e pandehur për tenderin 190 mln euro të tunelit të Llogarasë. SPAK ka hetuar se ajo ka diktuar dhe ka paracaktuar garën për 2 kompani turke duke u bashkuar në një të vetme.
Nga mesazhet që kanë dalë, tregojnë se Balluku nuk mundet dhe nuk duhet të qëndrojë në detyrë.
Momenti i dytë është tenderi për lotin 4 të Unazës së Madhe. SPAK dhe gjatë kësaj kohe ka marrë telefona, ka bërë kontrolle.
Në kërkesën që SPAK i ka bërë GJKKO, në vendim thuhet se për shkak të pushtetit të Ballukut, ekziston rreziku që ajo të prishë provat.
Fakti që ajo është titullare, ajo mund të intimidojë vartësit, ndaj pezullimi ka lidhje me këtë.
© BalkanWeb