EMRAT/ 16 të arrestuar në Elbasan për prodhimin e paligjshëm të ferrokromit, 8 të tjerë në kërkim
schedule10:21 – 14 Dhjetor, 2025
Policia e Elbasanit finalizoi operacionin e koduar “Metalurgjiku”, i ndjekur prej disa muajsh me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e krimeve kundër mjedisit. Janë proceduar penalisht 2 subjekte juridike, “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, të cilat ushtronin aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, duke shkaktuar ndotje të mjedisit.
Nga hetimet intensive, si dhe inspektimet e kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ka rezultuar se dy subjekte tregtare, të cilat ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut, Bradashesh, Elbasan, kanë shkelur legjislacionin mjedisor, duke ndotur ajrin, ujërat dhe tokën, si dhe duke mos respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përpunimin e mbetjeve të baterive.
Vihen në pranga 16 shtetas (9 prej tyre shtetas të huaj), me role drejtuese, teknike dhe punonjës. Janë arrestuar konkretisht: Juncheol Chung, shtetas korean, Prakash Kadel – shtetas nepalez shtetasit indianë: Rahul Pal , Styend Pal, Munna Singh ,Rajesh Yadav , Aaditiya Raj, Rahul Pal , Dheeraj Kumar. Jakup Karaj, Ismail Dybeli ,Dorjan Xhufka, Elton Bejkolli, Besnik Abdiaj, Elton Beqi , Eglis Flaga.
Shpallen në kërkim 8 shtetas, aksionerë: B. Z., 43 vjeç, D. K., 54 vjeç, F. M., 55 vjeç, Gj. B., 48 vjeç, A. Sh., 72 vjeç, S. O., 67 vjeç, I. L., 53 vjeç, A. K., 38 vjeç, aksionerë të subjekteve tregtare, për veprat penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Po punohet për kapjen e tyre.
Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara lidhur me menaxhimin e integruar të mbetjeve, gjatë inspektimeve u vendosën masat administrative: 3.000.000 lekë për një nga subjektet dhe 10.000.000 lekë për subjektin tjetër, si dhe u pezulluan aktivitetet e të dy subjekteve deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.
U sekuestruan celularë dhe DVR. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme./abcnews.al