Enzo Fernandez: Nuk krahasohem dot me Lampard, shpresoj të ndjek hapat e tij te Chelsea
6 Shkurt 2026
13:15
Alfred Lleshi
Mesfushori i Chelsea, Enzo Fernandez, është shndërruar nga një organizator i thellë loje në kërcënim real për gol, duke u frymëzuar nga legjenda e klubit, Frank Lampard. Fernandez, i cili pati pak kontakt me Lampard gjatë periudhës së tij si trajner, ka studiuar lëvizjet dhe instinktin për gol të ish-mesfushorit për ta përmirësuar lojën e tij.
Duke folur për “Sky Sports”, tha: “Ai është një frymëzim për mua. Kam parë shumë video të Frank që kur erdha te Chelsea. Kam parë si hynte në metrat e fundit të fushës dhe si futej në zonë. Gjatë kohës që ishte trajneri ynë, unë nuk luaja në këtë pozicion, por më prapa, ndaj nuk munda të flisja shumë me të për këtë aspekt.
Sidoqoftë kam mësuar duke parë videot e tij. Ai ishte një lojtar i jashtëzakonshëm dhe një legjendë e Chelsea. Nuk më pëlqen të krahasohem me të, sepse ai ka arritur shumë më tepër se unë këtu. Ai është një idhull, shpresoj të ndjek hapat e tij te Chelsea”. Fernandez tani barazon Lampard në fillimet e tij te Chelsea, me 27 gola në 151 ndeshje.