Ervin Bulku zhvillon trajnim për organizimin e ekipeve kombëtare të moshave
30 Janar 2026
17:23
Telesport
Zëvendëstrajneri i Kombëtares, Ervin Bulku, zhvilloi një trajnim të posaçëm me trajnerët dhe stafet teknike të ekipeve kombëtare të moshave, për djem dhe vajza, në kuadër të angazhimit për rritjen e cilësisë dhe standardizimin e punës në të gjitha nivelet kombëtare.
Trajnimi u fokusua në konceptimin dhe menaxhimin e një grumbullimi modern të ekipit kombëtar, duke përfshirë të gjitha fazat e përgatitjes: aspektin teknik, përgatitjen atletike, organizimin logjistik dhe komunikimin efektiv brenda stafit dhe me lojtarët.
Gjatë sesioneve, trajnimi u karakterizua nga diskutime të hapura, ndarje idesh dhe shkëmbim eksperiencash mes trajnerëve dhe anëtarëve të stafeve teknike, duke krijuar një platformë bashkëpunimi dhe reflektimi mbi praktikat më të mira të punës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ky proces kontribuoi në ndërtimin e një qasjeje të unifikuar dhe profesionale për funksionimin e ekipeve kombëtare të moshave, duke garantuar vazhdimësi metodologjike dhe standarde të qarta pune, në funksion të zhvillimit afatgjatë të talenteve të rinj, si në futbollin e djemve ashtu edhe të vajzave.
Përmes këtij trajnimi, trajnerët u pajisën me modele konkrete pune dhe praktika bashkëkohore, ndërsa u forcua bashkëpunimi mes stafit teknik, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e performancës së ekipeve kombëtare në të ardhmen.