Fatima Bosch nga Meksika, e cila u largua nga organizatorët, shpallet Miss Universe
Miss Meksika, Fatima Bosch, është kurorëzuar Miss Universe në një ceremoni të zhvilluar në Bangkok, duke shënuar fundin e një sezoni konkurimi të mbushur me skandale. Konkurrentja 25-vjeçare ishte larguar nga një aktivitet në fillim të nëntorit pasi një zyrtar tajlandez e kishte qortuar publikisht përpara dhjetëra pjesëmarrëseve dhe kishte kërcënuar se do të skualifikonte të gjitha ato që e mbështetnin.
Ajo ngjarje dramatike u pasua një javë më vonë nga dorëheqja e dy anëtarëve të jurisë, njëri prej të cilëve akuzoi organizatorët për manipulim të garës. Këto zhvillime vijnë ndërsa një nga konkurset e bukurisë më jetëgjata në botë po përballet me pyetje mbi relevancën e tij dhe rënien e audiencës.
Rezultati i fundit ka shtuar edhe më shumë polemika, pasi lajmi për fitoren e Miss Meksikës ka ndarë menjëherë opinionin online. Shumë meksikanë festuan triumfin e saj, ashtu si edhe ata që kishin përshëndetur largimin e saj nga eventi. Por disa të tjerë u shprehën se organizatorët mund t’ia kenë dhënë kurorën për të kompensuar skandalin e mëparshëm.
Miss Tajlanda, Praveenar Singh, u rendit e dyta, ndërsa Miss Venezuela, Stephany Abasali, mori vendin e tretë, e ndjekur nga Miss Filipinet Ma Ahtisa Manalo dhe Miss Bregu i Fildishtë, Olivia Yace.

Drama në Bangkok
Situata mori kthesë dramatike gjatë një ceremonie paraprake në fillim të muajit, kur magnati i medias tajlandeze dhe organizatori i konkursit, Nawat Itsaragrasil, e qortoi publikisht Bosch për mos-postimin e materialeve promocionale. Kur ajo kundërshtoi, ai thirri sigurinë dhe kërcënoi se do të skualifikonte cilëndo që e mbështeste. Bosch u largua nga salla dhe të tjera konkurrente iu bashkuan në shenjë solidariteti, duke bërë që ngjarja të bëhej lajm botëror.
Organizata Miss Universe e dënoi sjelljen e Nawat-it si “keqdashëse”, ndërsa Rocha, duke folur me video nga Meksika, i kërkoi partnerit të tij tajlandez të “ndalonte”. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, e lavdëroi atëherë Bosch-in si “shembull se si ne gratë duhet të ngremë zërin” përballë agresionit.
Gjatë finales së së premtes, Nawat postoi foto nga audienca në rrjetet sociale, por nuk u pa në skenë. Pas kurorëzimit të Bosch-it, ai publikoi një deklaratë të shkurtër në tajlandisht: “Një miliard fjalë që nuk mund të thuhen.”
Ai u tha gjithashtu gazetarëve: “Sa i përket rezultatit, ua lëmë shikuesve të gjykojnë… njerëzit kudo mund të nxjerrin përfundimet e tyre.” Në rrjetet sociale, disa fansa thanë se drama pas skenës e ndihmoi Bosch-in të fitonte kurorën, që është e katërta për Meksikën. “Vitin tjetër, kushdo që largohet, fiton,” shkroi një komentues, ndërsa një tjetër tha: “Duhej ta kurorëzonin për të rregulluar padrejtësinë e mëparshme dhe për të shpëtuar Miss Universe!”
BBC ka kontaktuar Organizatën Miss Universe për koment. Në rrjetet e saj sociale, organizata e lavdëroi Bosch-in duke thënë se “hiri, forca dhe shpirti i saj rrezatues kapën zemrat e botës”.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

