Franca heq veton për Malin e Zi/ Podgorica mbyll 5 kapitujt në negociatat me BE
schedule15:34 – 16 Dhjetor, 2025
Franca i ka hequr veton Malit të Zi duke mundësuar kështu që Podgorica të mbyllë pesë kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian.
Këto kapituj janë liria e ofrimit të shërbimeve, lëvizja e lirë e kapitalit, e drejta tregtare, bujqësia dhe zhvillimi rural si dhe kapitulli për peshkimin.
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiç tha se Bashkimi Europian fiton një shtet anëtar që mund të ecë krah për krah me anëtarët e tjerë, edhe pse dikur ishte vendi më i varfër në ish-Jugosllavi.
Komisionerja për zgjerim Marta Kos tha se Mali i Zi është një kandidat me rezultate të mira dhe jo u dëshmua edhe nga mbyllja e 12 kapitujve nga 33 gjithsej.
Megjithatë ajo theksoi se Podgorica duhet të përshpejtojë procesin e reformave, sidomos në sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryeministri malazez ka theksuar se vendi synon t’i mbyllë negociatat deri në fund të vitit 2026 dhe të jetë gati për anëtarësim të plotë në vitin 2028.
Megjithatë procesi u vu në pikëpyetje në fillim të dhjetorit, kur Franca vendosi një veto të papritur, për të cilën Podgorica tha se kishte më shumë të bënte me zhvillimet politike në Paris sesa me reformat e Malit të Zi.
Ndryshimi i qëndrimit të Parisit erdhi vetëm disa orë pasi kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Bashkimi Europian duhet të nisë punën për traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi.
Shqipëria dhe Mali i Zi kanë qenë dy vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë ecur me shpejtësi në procesin e anëtarësimit dhe vendi ynë ndërkohë ka hapur të gjithë grupkapitujt dhe nga Brukseli ka pasur sinjale se përfshirja në union mund të jetë e shpejtë.