“Fury gati të përballet me Joshua nëse vjen oferta e duhur dhe do ta hedhë KO në ring”
29 Dhjetor 2025
11:02
Telesport
Tyson Fury do të ndeshet me Anthony Joshua vitin e ardhshëm, por vetëm nëse merr ofertën e duhur, lajm që konfirmohet nga promotori i tij Frank Warren për “Sky Sports News”. Më parë këtë muaj është raportuar se Fury dhe Joshua do të përballen më në fund në ring në vitin 2026, megjithëse kjo ende nuk është konfirmuar.
Warren këmbëngul se Fury është i gatshëm të ndeshet me Joshua, por se paratë duhet të jenë të mjaftueshme, duke thënë: “Ajo që do ta inkurajojë Tyson është aspekti financiar i saj”.
“Unë besoj se ai ka fituar më shumë se AJ. Gjithçka ka të bëjë me vlerën financiare të sfidës. Është një përballje e madhe dhe ia vlen shumë parà. Tyson ka çmimin e tij. Nëse ai merr ofertën e duhur, do të jetë atje për t’u ndeshur me Joshua”, tha Warren.
Më tej, Warren shtoi: “Tyson do ta hedhë KO Joshua, e di që do ta fitojë duelin me KO. Ai është një grushtues i fortë. AJ nuk është i vështirë për t’u goditur”.
Warren konfirmoi se nëse ndeshja zhvillohet në vitin 2026 mund të organizohet në Arabinë Saudite. “Paratë do të diktojnë se ku do të zhvillohet ndeshja, është kaq e thjeshtë. Ata do të shkojnë aty ku janë paratë, janë luftëtarë profesionistë, ata shkojnë në ring dhe pranojnë grushte për parà”, deklaroi promotori.
“Ata nuk janë ndryshe nga asnjë sportist tjetër, golfist, futbollist, kushdo qoftë ai, ata do të luajnë në çdo vend që mund të gjenerojnë më shumë të ardhura. Në boks, është një sport i rrezikshëm, karrierat e shumicës së boksierëve mbarojnë në moshën e këtyre të dyve”, shtoi Warren.
“Nuk ka asgjë më të mirë se një ndeshje vetëm midis britanikëve, nuk ka atmosferë si britanikët kur ata hyjnë në një ndeshje, dhe kjo do të ishte shumë mirë. Por edhe audienca televizive do të ishte shumë e madhe“, përfundoi promotori i boksit.