Gjermania forcon mbrojtjen hapësinore ndaj Rusisë dhe Kinës, zbulohet strategjia e parë 35 mld euro deri në 2030
Qeveria gjermane zbuloi sot strategjinë e saj të parë të mbrojtjes hapësinore, duke synuar të forcojë praninë evropiane në hapësirë dhe të mbrojë satelitët nga përshkallëzimi i tensioneve ushtarake me rivalët e saj rusë dhe kinezë.
“Ne duhet të kemi dhe të zhvillojmë një aftësi parandaluese dhe mbrojtëse në hapësirë”, tha ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius në një konferencë për shtyp.
“Nuk duhet të jemi naivë dhe thjesht të vëzhgojmë se çfarë po bëjnë Kina ose Shtetet e Bashkuara në mbrojtjen hapësinore”, shtoi ministrja e Kërkimit, Teknologjisë dhe Hapësirës, Dorothee Bar.
Siç u njoftua në shtator, Bundeswehr-i do të investojnë afërsisht 35 miliardë euro deri në vitin 2030 në këtë strategji.
“Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia janë masivisht aktive në hapësirë dhe Gjermania duhet të jetë në gjendje të siguroje mbrojtje për satelitët tanë, sepse një sulm efektiv mund të paralizojë potencialisht shtete të tëra”, tha Pistorius.
Ai përmendi një sulm kibernetik kundër satelitëve në fillim të pushtimit rus të Ukrainës, i cili shkaktoi mosfunksionimin e disa qindra turbinave me erë në territorin gjerman.
Pistorius gjithashtu bën thirrje për të forcuar bashkëpunimin me Evropën, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, sepse nuk do të ishte mirë që Gjermania të konkurronte vetëm kundër Rusisë dhe Kinës.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb