Gjykata Supreme kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, rikthen në detyrë kryeprokurorin e shtetit
Gjykata Supreme e ka anuluar të mërkurën vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendit nga detyra e ushtruesit të detyrës së kryeprokuror të shtetit, duke thënë se shkarkimi i tij ishte i kundërligjshëm. Në një njoftim për media, gjykata tha se ia ka kthyer lëndën Këshillit për rishqyrtim dhe rivendosje.
“Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit dhe ka anuluar vendimin KPK.nr.1056/2025, të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim. Kelmendi u shkarkua muajin e kaluar pas raportimeve se ai gjoja kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën ajo e konsideronte ngjarje të trilluar. Ai i ka mohuar këto pretendime. Shkarkimi i tij shkaktoi polemika për ligjshmërinë e vendimit, pasi ai u votua nga vetëm pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial. Pjesa tjetër e anëtarëve vlerësuan se s’kishte kuorum, dhe e quajtën vendimin “puç institucional”.
Kelmendi u ankua në Supreme pasi Gjykata Themelore nuk ia pranoi ankesën kundër shkarkimit. Supremja gjeti të mërkurën se vendimi i Këshillit Prokurorial ishte “i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë”. “Është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar”, tha Supremja. Sipas saj, vendimi i Këshillit Prokurorial u mor “në procedurë të pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim”.
Vendimi për shkarkimin e Kelmendit ishte kontestuar nga organizatat joqeveritare që vëzhgojnë sistemin e drejtësisë, që kishin argumentuar se ai ishte një vendim i marrë në mungesë kuorumi në mbledhjen e KPK-së dhe se ishte një vendim “i paligjshëm, arbitrar dhe abuziv”. Për vendimin kishte reaguar edhe faktori ndërkombëtar. Ambasada amerikane në Prishtinë bëri thirrje që të respektoheshin ligjet dhe të ndiqeshin procedurat e duhura ligjore, ndërkaq Zyra e Bashkimit Evropian vlerësoi se shkarkimi i Kelmendit pengon reformat e nevojshme në Këshillin Prokurorial dhe shpërfill parimet e ligjit dhe minon përparimin e shtetit drejt bllokut evropian.
Reçaku
Këshilli Prokurorial mori vendim për shkarkimin e Kelmendit një ditë pasi ai u paraqit në Prokurorinë Speciale të Kosovës si dëshmitar lidhur me punën e tij në gjykatë në kohën kur ka ndodhur masakra e Reçakut. Kelmendi në një konferencë për media të mbajtur më 19 nëntor i mohoi raportimet se kishte bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, më 1999, e cila e kishte përsipër rastin e masakrës së Reçakut. Marinkoviq punonte si gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dhe e kishte cilësuar masakrën si “ngjarje të trilluar”. Në atë masakër u vranë 45 civilë shqiptarë. Kelmendi e pranoi se ishte paraqitur në Prokurori si dëshmitar. Sipas tij, në atë periudhë ishte i punësuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë si bashkëpunëtor profesional, duke theksuar se kryente punën e procesmbajtësit, andaj i mohoi akuzat se ishte asistent i Marinkoviqit.
Deklarimet e tij erdhën pas pretendimeve të medias lokale në Kosovë, Paparaci, se Kelmendi kishte qenë i përfshirë në trajtimin e rastit të Reçakut më 1999. Sipas tij, Marinkoviq ishte gjyqtarja që “zhduku provat për masakrën e Reçakut”. Pretendimet e atëhershme të gjyqtares serbe, Marinkoviq për masakrën e Reçakut, janë në linjë të njëjtë edhe me narrativin e tanishëm që kanë autoritetet serbe për këtë ngjarje. William Walker, që gjatë vitit 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat. Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja i sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi, duke çuar në çlirimin e vendit dhe pavarësimin e tij vite më vonë./REL
© BalkanWeb