Gruaja e Lewandowskit paralajmëron largimin e sulmuesit nga Barcelona
30 Janar 2026
15:56
Alfred Lleshi
E ardhmja e Robert Lewandowskit te Barcelona duket se po shkon drejt fundit. Të paktën kështu del nga deklaratat e bashkëshortes së tij, Anna, e cila ka paralajmëruar largimin e polakut nga klubi katalanas në përfundim të këtij sezoni.
Në një intervistë për median polake “Plejada”, Anna Lewandow/ski foli për të ardhmen e afërt dhe pranoi se kjo mund të jetë hera e fundit e bashkëshortit të saj në Barcelonë: “Do të shohim si do të shkojë sezoni në Barcelonë këtë vit, sepse, le të themi, me shumë gjasë do të jetë i fundit i burrit tim aty. Po e shijojmë si një limon të shtrydhur. E jetojmë çdo moment, çdo ndeshje me tifozët, sepse e dimë që një ditë nuk do t’i kemi më këto gjëra”.
Anna pranoi gjithashtu se nuk e dinë ende se çfarë i pret në të ardhmen: “Çfarë vjen më pas? Nuk e dimë, por ky është rrugëtimi i një sportisti të madh dhe jemi të përgatitur për këtë”. Lewandowski, edhe pse 37 vjeç, mbetet në formë të shkëlqyer dhe pritet të ketë oferta nga Europa, SHBA dhe Arabia Saudite.